Nga 3 janari terminali i jugut spostohet te kthesa e Kamzës

schedule17:56 - 30 Dhjetor, 2019

schedule 17:56 - 30 Dhjetor, 2019

Të gjitha ata që do të duan të udhëtojnë drejt jugut të vendit, prej datës 3 janar 2020 do të kenë një tjetër pikënisje të udhëtimit të tyre, nga “Shqiponja” tek Kthesa e Kamzës.

Bashkia e Tiranës e mori vendimin pasi në janar pritet të rinisin punimet për nënkalimin e rrethrrotullimit të sheshit “Shqiponja”.

Deri më tani terminali pranë rrethrrotullimit të Shqiponjës shërbente si terminali i transportit ndërqytetas të zonës së jugut, por në janar 2020 do të spostohet. Punimet për terminalin e ri të jugut duket se po ecin me ritme të shpejta siç shihet dhe nga pamjet e fiksuara nga kamera e “ABC News”.

Shkakun e zhvendosjes së këtij terminali pranë zonës së njohur si Kthesa e Kamzës e shpjegoi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj para pak ditësh.

“Pas festave të gjithë autobuzët ndërqytetas që qëndrojnë te terminali te ish – dogana do të kalojnë rrugën në anën tjetër dhe terminali do të zhvendoset te kthesa e Kamzës”, tha Veliaj.

Pas pezullimit të punimeve për Unazën e Madhe të kryeqytetit, në janar pritet që këto punime të rinisin për nënkalimin pranë sheshit “Shqiponja” dhe terminali aktual i jugut të shërbejë si kantier ndërtimi./abcnews.al