Manchester City eliminoi PSG mbrëmë nga Champions League, duke shuar edhe një herë ëndrrën e francezëve për të fituar Champions League. Ky ishte sezoni i katërt i Neymar në Paris që nga ikja nga Barcelona dhe Topi i Artë e Champions nuk erdhën. Kështu, pas një llogarie të thjeshtë, rezulton se realiteti është një: të gjitha palët humbën.
Numrat individualë të Neymar janë më të mirë te PSG sesa te Barça. Padyshim, niveli i La Liga është shumë më i lartë se ai i Ligue 1, kështu që rivalët me të cilët Ney është përballur e kanë lejuar atë të regjistrojë statistika më të mira. Si lojtar i Barçës, braziliani shënoi 105 gola dhe dha 76 asistime në 186 ndeshje.
Pra, ai kishte një mesatare prej 0.56 golash dhe 0.4 asistesh për ndeshje. Në ekipin francez, me të cilin ai ka shënuar 85 gola dhe ka dhuruar 51 asistime në 112 ndeshje, mesatarja e tij është 0.75 gola dhe 0.45 asiste për ndeshje.

Sidoqoftë, këto rekorde nuk kanë qenë të mjaftueshme për ish-yllin e Santos për të arritur Topin e Artë. Në pamje të parë, i larguar nga hija e Messit te Barça, u duk se do e arrinte, por dëmtimet e tij të përsëritura dhe fiaskot e PSG-së në Evropë e kanë privuar brazilianin për këtë arritje.
Në nivelin e titujve, skuadra franceze nuk mund të justifikojë në asnjë mënyrë investimin e bërë te braziliani. Para nënshkrimit të tij, PSG kishte fituar katër nga pesë Ligue 1 e fundit. Me Ney, tre ligat e para kanë qenë gjithashtu për parizianët, me të katërtën që ka një fund të pasigurt, pasi Lille kryeson tre javë nga fundi dhe ka gjithçka në dorën e vet.
Askush nuk e fshehu që Al-Khelaifi nënshkroi brazilianin për të fituar Champions League. Dhe është e vërtetë që në turneun kontinental ata kanë bërë një hap përpara: në vitin aktual arritën gjysmëfinalet dhe në të shkuarin humbën në finale.

Ndjesia që PSG transmeton në ndeshjet vendimtare është se kjo skuadër vazhdon të jetë më shumë një grup individësh sesa një bllok solid dhe i besueshëm. Neymar dhe Mbappe nuk mjaftojnë që pronari sheik të përmbushë ëndrrën e tij. Duhet të mbahet mend se braziliani fitoi Champions League me Barçën në sezonin 2014-15.
Në Champions, Neymar luajti 40 ndeshje me Barçën dhe vetëm 29 me PSG, një fakt i kushtëzuar nga dëmtimet e shumta që braziliani ka pasur që kur u bë pjesë e ekipit parisien. Në nivelin e golave dhe asistimeve, te Barcelona arriti përkatësisht 21 dhe 19, ndërsa me PSG numëron 20 dhe 12.
Në ekipin katalanas, Ney fitoi 10 tituj: tre Kupa të Mbretit, dy La Liga, dy Super Kupa Spane, një Champions League, një Super Kupë të Evropës dhe një Kupë të Botës për klube. Me PSG, ish-lojtari i Santos shton të njëjtën gjë: tre Ligue 1, tre Super Kupa France, dy Kupa France dhe dy Kupa të Ligës.
Këta 10 tituj mund të jenë 12 nëse djemtë e Pochettinos fitojnë këtë Ligue 1 dhe gjithashtu Kupën e Francës, në të cilën janë në gjysmëfinale. Ndryshe nga Spanja, në Francë diskutohen dy kupa të brendshme.

Por, as Barcelona nuk ka bërë mirë pa Neymar. Së pari, sepse skuadra nuk ka arritur në finalen e Champions League. Dhe së dyti, sepse 222 milionë eurot, që u fituan nga shitja e tij u harxhuan në investime rekord për lojtarë që nuk na kanë bërë të harrojmë performancën e madhe sportive që Neymar kishte.
Griezmann dhe Dembele janë duke u rritur ndeshje pas ndeshje, por pa kapur shkallën e përsosmërisë që Neymar ofroi. Edhe më i dhimbshëm është krahasimi me Coutinho, nënshkrimi më i shtrenjtë në historinë e klubit dhe ndoshta dështimi më i madh.
Me pak fjalë, kur qëndrimi e Neymar në Paris do të tejkalojë atë të Barçës për nga kohëzgjatja, tashmë ka perspektivë të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se largimi i Brazilianit nuk ishte vendimi që duhej marrë.
PSG ende nuk e ka fituar Champions League, Barcelona shpenzoi më shumë se 300 milionë euro për ta zëvendësuar dhe nuk ia arriti. Kështu, në këtë lëvizje, e vetmja që përfitoi, ishte llogaria bankare e Neymar. Askush tjetër! /abcnews.al / Përshtatur nga Sport.es

