Neymar, PSG refuzon ofertën e fundit të Barcelonës

schedule14:15 - 29 Gusht, 2019

schedule 14:15 - 29 Gusht, 2019

Paris Saint Germain ka refuzuar sërish Barcelonën për transferimin e Neymar-it. E ardhmja e brazilianit mbetet mister, ndonëse katalanasit janë sërish optimistë.

Nuk mjaftoi oferta më e fundit që nuk ishte aspak e keqe. Barcelona ishte gati të paguante 150 milionë euro në dy këste për Nejmarin, plus t’i jepte Paris SG dy lojtarë, Usman Dembelenë dhe Ivan Rakitiçin, por as ky propozim “nuk piu ujë”.

Është Radio Montekarlo, në programin sportiv, “RMC Sports”, që e informon diçka të tillë, duke i hedhur “ujë të ftohtë”, një operacioni që dukej se po shkonte me sukses drejt përfundimit.

Paris SG ka kërkuar, sipas RMC-së, vetëm ofertë financiare, të përbërë nga 222 milionë euro, aq sa vetë parizienët e morën Neymar-in nga Barcelona dy vjet më parë, duke vendosur rekordin e ri të transferimeve.

Gjithsesi, nga Spanja vijnë edhe lajme të tjera. “Todibo hyn në “operacionin Neymar”, akordi është gjithnjë e më pranë”, shkruan gazeta katalanase “Sport”.

Ajo jep më pas hollësi të tjera për bisedimet mes palëve, duke theksuar se presidenti i Barçës, Bartomeu, është në Montekarlo për të përshpejtuar transferimin e brazilianit, dhe po ashtu thekson se klubi spanjoll do të pranojë vetëm nëse futen dy lojtarë si shkëmbim.

Ekziston mundësia, gjithnjë sipas kësaj gazete, që klubi francez të pranojë një dakordësi prej 130 milionë eurosh, si dhe tre lojtarëve, që do të ishin Dembele, Rakitiç e Todibo, i kërkuar nga vetë francezët.

Besohet se në Paris nuk e kanë pasur të lehtë për të vendosur linjën zyrtare që duhet të kenë për Neymar-in.

Drejtuesit e lartë, edhe kanë dashur ta largojnë duke e pasur të qartë se nuk ka dëshirë që të luajë për ekipin e tyre, por edhe janë përpjekur që ta mbajnë për shkak të dëmtimeve të Mbapesë e Kavanit, si dhe të rëndësisë sportive dhe financiare të futbollistit.

Kur kanë mbetur fare pak ditë nga e hëna e 2 shtatorit, nuk dihet nëse katalanasit do të mund të bëjnë një ofertë tjetër, nëse Reali mund të hyjë në lojë, apo nëse PSG do ta mbajë brazilianin për vete./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!