Neymar lë pas dëmtimin, “ylli” brazilian në fushë pas plot 369 ditësh

schedule16:36 - 22 Tetor, 2024

schedule 16:36 - 22 Tetor, 2024

Vetëm Cristiano Ronaldo fut në xhep më shumë se ai.

Neymar është “ylli” i futbollit që fiton 100 milionë euro në sezon, por besohet se lumturinë më të madhe e ndjeu kur u kthye në fushë pas më shumë se një viti.

Njëri nga talentet më të mëdhenj të historisë ia doli më në fund të rikthehej duke hyrë në terren në minutën e 77’-të të ndeshjes së AFC Champions League të skuadrës së tij Al-Hilal, ndaj rivalëve të Al-Ain.

Skuadra e tij saudite fitoi 5-4 jashtë fushe, në një përballje vërtet të bukur, por lajmi y madh ishte pikërisht Neymar.

I dëmtuar rëndë, ai priti 369 ditë, një nga mungesat më të mëdha që mbahen mend ndonjëherë.

Nuk mundi të shënonte, ndonëse iu afrua golit, por nëse shëndetin do ta ketë të mirë, sulmuesi mund t’ia dalë që në sfidën e ardhshme.

I afruar në nisje të sezonit të kaluar, ai këputi menjëherë ligamentin e kryqëzuar (ACL), dhe nuk mundi të tregonte asgjë. Për 100 milionë euro në sezon, ai vjet luajti vetëm 5 ndeshje, duke shënuar një rrjetë e duke shërbyer 3 asistë.

Shpresa e madhe është që të fitojë titullin në fushë dhe i ka që të gjitha mundësitë sepse Al Hilal është skuadra më e mirë e Arabisë Saudite, kampione në fuqi.

Pse jo, të fitojë edhe versionin aziatik të Champions League, ndonëse dëmtimet kanë qenë makthi i karrierës së tij. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!