Refik Halili, presidenti i Tiranës, pas takimit mes klubeve dhe FSHF-së, foli për vendimin e marrë që Superiorja të rikthehet më 3 qershor. Kreu i klubit bardheblu bëri edhe një propozicim në lidhje me transferuat, duke u shprehur se do ishte mirë që ekipet të udhëtonin brenda ditës dhe të mos qëndronin në hotele.
“Mirë është që të luhet futboll. Nëse futbollistët do të rrinë edhe 2-3 muaj pa luajtur, është një humbje e madhe sportive. Për mua, nëse flasim për të eliminuar shpenzimet, mirë është mos luhet. Nëse flasim për futboll, mirë është të luhet futboll.
Ne duam të vazhdojmë. Masat janë gjëra të realizueshme, gjithsesi do të shikojmë, si janë hotelet dhe të gjitha me radhë. Unë kam një mendim, ndoshta udhëtimet në transferta t’i bëjmë brenda ditës. Do lodhemi pak, por në këtë mënyrë mund të eliminojmë ndonjë të papritur”, tha Halili për mediat.
NDERIM NEXHIPI – Në mungesë të presidentit të nderit, Safet Gjici, në mbledhjen e sotme Kukësin e përfaqësonte Nderim Nexhipi. Ish-fantazisti pranoi problemet që lidhen me infrastrukturën, ndërkohë që thekson se në aspektin financiar gjithccka është në rregull në klubin verilindor.
“Në kushtet tona në Shqipëri, klubet kanë probleme me infrastrukturën dhe financën. Kishte bisedime, të gjithë dhanë mendimin e tyre. Duhet kohë që skuadra të kthehet në fushë. Nuk është koha e mjaftueshme, kemi ndaluar shumë. Është rrezik i vogël, do tentojmë të bëjmë stërvitje dhe të kthehemi. Nëse mendohet për një rifillim, e kam thënë që duhen 3 javë minimum stërvitje.
Shpresoj të mos ketë lëndime. Jemi edhe në Kupë dhe do jetë problem për lojtarët. Shpresoj që të stërvitemi sa më shumë. Nuk kemi probleme financiare. Këto ditë lojtarët do të marrin një pagë. Shpresoj që të vazhdojmë sa më shpejt pjesën e mbetur të kampionatit. Çdo ekip do bëjë kontrollin e temperaturës”, tha Nexhipi. /abcnews.al