News Week analizon opsionin e ndryshimit të kufijve në Kosovë

schedule21:51 - 9 Gusht, 2018

schedule 21:51 - 9 Gusht, 2018

Në një kohë kur në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë priten zhvillime të rëndësishme, “News Week” ka analizuar opsionin e ndryshimit të kufijve. Ekspertët e intervistuar nga e përjavshmja amerikane vlerësojnë se ndryshimet mund të kenë efekte sa pozitive aq edhe negative.

Natyra e vështirë e problemeve dhjetëravjeçare në Ballkan po detyron ligjvënësit në Serbi dhe Kosovë të shqyrtojnë zgjidhje që komuniteti ndërkombëtar i ka kundërshtuar prej kohësh. Me qetësi, Beogradi po i mëshon idesë së shkëmbimit të territorieve me Prishtinën dhe duket se propozimi nuk është përjashtuar nga faktori ndërkombëtar. Një marrëveshje e tillë do t’i jepte Serbisë veriun e Kosovës dhe Kosovës një copëz të jugut të Serbisë i banuar nga shqiptarët. Gjithashtu ky rishikim i kufijve mund t’i hapë rrugë njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe t’i afrojë më shumë dy vendet me Bashkimin Europian. Por sa i mundur është një opsion i tillë?

Në një shkrim analitik, revista “News Week” citon ekspertë të çështjeve ballkanike që mbështesin më shumë ekzistencën e shteteve multietnike sesa vendosjen e kufijve të rinj, lëvizje kjo që mund të nxisë ndjenja nacionaliste. “Shkëmbimi i territoreve dhe ndryshimi i kufijve mund të shoqërohet me disa nga kapitujt më të errët të historisë europiane të shekullit njëzet”, paralajmëron Richard Kraemer, ekspert pranë Institutit amerikan për Politikën e Jashtme. Sipas Kraemer, përballë rritjes së nacionalizmit në Europë, ndasisë mes vendeve anëtare të BE-së dhe ndikimit të Rusisë rishikimi i kufijve mbi baza etnike nuk mund të sjellë asgjë pozitive. “Një ndryshim eventual hap kutinë e Pandorës dhe krijon precedentë për vende të tjera ku identiteti entik dhe ai kombëtar janë shkrirë me njëri-tjetrin”, thotë Kraemer.

Eksperti i është referuar këtu zonave etnikisht të ndryshme në Ukrainë dhe Bosnje e Hercegovinës, ku Republika Serbe disa herë ka shprehur dëshirën për t’u shkrirë me Serbinë. Ndërkohë, ish-ambasadori britanik në Jugosllavi, Ivor Robert deklaron se shkëmbimi i territoreve është një opsion që ia vlen të shqyrtohet. “Mund të jetë mënyra më e mirë për të bindur Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës dhe t’i japë fund konfliktit të ngrirë”, thotë Roberts. Ndërkohë, faktori ndërkombëtar nuk e ka kundërshtuar një ide të tillë. I kontaktuar nga “News Week”, Departamenti i Shtetit ka refuzuar të bëjë komente. Më parë Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar ndarjen e rajonit, por disa analistë thonë se kjo tendencë ka nisur të ndryshojë me ardhjen në pushtet të presidentit Donald Trump. Ndërkohë, në një intervistë televizive të dhënë në korrik, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie refuzoi ta përjashtonte një mundësi të tillë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!