New York Times: Popullariteti i Hashim Thaçit ka rënë

schedule12:48 - 30 Prill, 2019

schedule 12:48 - 30 Prill, 2019

Prestigjiozja amerikane “New York Times”, shkruan në një analize për zhvillimet në Kosovë se  popullariteti i presidentit Hashim Thaci ka pësuar rënie. Sipas gazetës kryeministri Haradinaj ka më shumë mbështetje për shkak të qëndrimeve të tij kundër ndryshimit të kufijve.

Prestigjiozja amerikane “New York Times” shkruan se popullariteti i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi është gjithnjë e më në rënie. Sipas kësaj të përditshmeje, kreu i shtetit në Kosovë krahasohet në shkrime nëpër mure të kryeqytetit, Prishtinë, me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Kosova nuk është Krime”, thuhet në një fjali, në anglisht.

Nga ana tjetër kryeministri Haradinaj i ka shfrytëzuar reagimet popullore ndaj asaj që nganjëherë shihet si marrëdhënie e ngrohtë e presidentit me Serbinë, duke lëvizur në një drejtim që shumë njerëz thonë se e forcon shtetësinë e Kosovës. Në dhjetor, Kuvendi i Kosovës miratoi ligjet për krijimin e ushtrisë, duke nxitur kritika nga NATO, e cila ruan paqen e brishtë, vijon më tej shkrimi.

Pak ditë më vonë, qeveria e Haradinaj vendosi taksën prej 100 për qind ndaj eksporteve serbe në Kosovë, në hakmarrje ndaj sabotimit që Beogradi po i bën anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare, siç janë Interpol dhe Unesco. Që të dy vendimet kanë qenë ndër më të pëlqyerat që i ka ndërmarrë një qeveri në Prishtinë në një dekadë pavarësi.

Në një intervistë me New York Times, Thaçi hodhi poshtë pretendimet se ekziston një luftë për pushtet me kryeministrin Haradinaj. Ai tha se të kishin qenë shokë lufte në përpjekjet për pavarësinë e vendit, e që tashmë ishin miq. Por gjithsesi ai pranoi se kishin këndvështrime të ndryshme

Por kreu i shtetit këmbëngul se është optimist dhe beson në arritjen e një marrëveshjeje që përfundon me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, ndërsa Haradinaj sipas tij është më skeptik.

Haradinaj këmbëngul në qëndrimin e tij se eksperimentimi me kufijtë është anti-kushtetues. Në një citim për New York Times kreu i ekzekutivit shprehet se nuk ka të bëjë me pushtetin por çdo gjë lidhet me të ardhmen e kombit.

Cilido që po punon në kurriz të Kosovës është gabim, sepse nuk po bëhet për Kosovën por për një njeri të vetëm – dhe ai është presidenti. Nëse diku është shkruar se ai ka rënë dakord për ndryshimin e kufijve, ai duhet të japë menjëherë dorëheqjen”, përfundon Haradinaj./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!