New York po pushtohet nga… minjtë

schedule14:00 - 23 Maj, 2019

schedule 14:00 - 23 Maj, 2019

New York Times shkruan se minjtë po marrin New York-un nën kontroll, duke shtuar se numri i tyre është rritur ndjeshëm. Janë aq të shumtë në numër sa në një trotuar në Brooklyn janë kalimtarët që përpiqen t’u shmangen atyre dhe jo e kundërta.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta dhe vazhdueshme, qyteti i New York nuk ia ka dalë të zhdukë apo të reduktojnë numrin e minjve. Madje, New York Times shkruan se minjtë po marrin qytetin nën kontroll.

Janë aq të shumtë në numër sa në një trotuar në Brooklyn janë kalimtarët që përpiqen t’u shmangen atyre dhe jo e kundërta. Zonat e Manhatanit të mbushura me lokale, përballen me një numër të madh klientësh dhe minjsh që mbledhin mbeturinat.

Të vendosësh numrin e saktë të minjve nuk është e lehtë, por mund të përllogaritet një shifër e përgjithshme sipas disa sinjaleve. Për shembull nga viti 2014 në 2018-n sinjalizimet për minj në bashki janë rritur me 38 për qind, në të njëjtën kohë është dyfishuar dhe numri i rasteve ku inspektorët sanitarë kanë gjetur të dhëna për praninë e minjve.

Sipas New York Times një nga shkaqet kryesore e rritjes së numrit të minjve janë ndërtimet e shtëpive të reja: për shkak të punimeve gërmohet dhe prishen foletë e tyre duke bërë që ata të dalin në sipërfaqe.

Por dhe rritja e temperaturave, si pasojë e ndryshimeve klimatike, i ndihmon ata të mbijetojnë dhe të riprodhohen. Ndërsa banorët dhe turistët ndihmojnë me mënyrën e tyre duke hedhur mbeturinat e ushqimeve kudo.

Një tjetër shkak është dhe mënyra e mbledhjes së mbeturinave në New York: thasët me mbeturina qëndrojnë në rrugë një natë para se të mblidhen, duke u siguruar në këtë mënyrë më shumë ushqim minjve.

Përveç neverisë, banorët përballen me një kërcënim të vërtetë për shëndetin e tyre. Në vitin 2017 kryebashkiaku Bill de Blasio miratoi një plan prej 32 milionë dollarësh, ku parashikohej një mbledhje më efikase e mbeturinave dhe kazanë prej hekuri në mënyrë që minjtë të mos kenë mundësi të depërtojnë.

Por New York-u nuk është i vetmi qytet që përballet me këtë fenomen. Në Chicago është dyfishuar numri i personelit që merret me shfarosjen e tyre. Në Uashington sinjalizimet për minjtë janë trefishuar nga viti 2014 në 2018-n. Ndërsa Seatle po harton një plan për të ndihmuar pronarët apo përgjegjësit pallateve për shfarojen e tyre./ABC News Albania 24/7