Netflix paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë, nis peticioni për ta ndryshuar

schedule09:36 - 10 Shkurt, 2021

schedule 09:36 - 10 Shkurt, 2021

Pas vendosjes së kufijve të Kosovës në hartat e Apple, tashmë ka filluar edhe një tjetër peticion. Një nismë e tillë ka filluar nga Sovran Hoti, student në Universitetin “Ukshin Hoti“ në Prizren.

Këtë herë kërkohet që Republika e Kosovës të njihet si shtet në Netflix. I riu është përdorues i rregullt i Netflix dhe ka vënë re se lokacioni figuron si Serbi. Në këtë mënyrë, ai ka marrë këtë nismë dhe ka filluar të hulumtojë më tepër rreth saj.

“Unë kam një kohë që e përdor Netflix dhe kur logohem në platformë lokacioni im figuron në Serbi. I pyeta edhe shokët dhe e njëjta gjë ishte edhe me ta. Kontaktova agjenten në Netflix dhe u mundova t’i shpjegoj se Kosova është shtet i pavarur dhe u kërkova ta hiqnin Serbinë si lokacion, por me sa duket ata nuk e kuptuan dhe as kishin dëgjuar për Kosovën, megjithatë thanë se do ta marrin parasysh”, shprehet Sovrani, duke pretenduar që nisma të marrë jehonë e të tërheqë vëmendjen e Netflix për të arritur qëllimin.

Sakaq, i riu kërkon ndihmë që peticioni online i nisur nga ai me hashtag #NetflixaddKosovo të shpërndahet e të nënshkruhet sa më shumë që Netflix ta vërejë këtë nismë dhe të marrë vendimin që të njohë Kosovën si shtet./abcnews.al