Netanyahu takohet me Trump: Sfida e përbashkët frenimi i Iranit

schedule11:16 - 6 Mars, 2018

schedule 11:16 - 6 Mars, 2018

Presidenti amerikan ka biseduar me kryeministrin izraelit për frenimin e kërcënimit që vjen nga Irani. Gjithashtu Trump diskutoi me Netanjahun lidhur me paqen në Lindjen e Mesme.

Presidenti amerikan Donald Trump priti në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu me të cilin diskutoi një sërë çështjesh që janë me rëndësi për dy vendet. udhëheqësit biseduan në Zyrën Ovale për mënyrat e frenimit të përparimit ushtarak të Iranit në Lindjen e Mesme dhe marrëveshjen ndërkombëtare të vitin 2015 që kishte si synim reduktimin e zhvillimit e armëve bërthamore të Teheranit. “Irani duhet të frenohet; kjo është sfida jonë e përbashkët”, tha Netanjahu.

Ai nënvizoi më tej se “Irani nuk ka hequr dorë nga ambicjet bërthamore”, dhe akuzoi Teheranin se “përfiton nga kjo marrëveshje duke u fuqizuar dhe pasuruar më shumë. “Po përdor agresionin kudo, përfshirë në kufijtë tanë”, u shpreh kryeministri izraelit.

Presidenti amerikan, në fjalën e tij, nuk përmendi Iranin me emër por tha se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli “janë shumë, shumë pranë përsa i takon bashkëpunimit ushtarak dhe luftës kundër terrorizmit dhe në të gjitha aspektet e tjera për të cilat duhet të punojnë së bashku. “Kjo marrëdhënie s’ka qenë asnjëherë më mirë”, ishte komenti i tij. Gjithashtu Trump njoftoi se mund të udhëtojë në Jeruzalem për të hapur ambasadën amerikane atje para 70 vjetorit të deklaratës së pavarësisë së Izraelit më 14 maj.

Ndërkohë, nga ana e tij Netanjahu vlerësoi kreun e Shtëpisë së Bardhë për vendimin e debatueshëm për të zhvendosur ambasadën nga Tel Avivi në Jeruzalem që shumë vende e shohin si territor të debatueshëm dhe objekt të negociatave me palestinezët. Lidhur me këtë, Trump nënvizoi se njohja e Jeruzalemit ndikon në arritjen e një marrëveshje për paqe të përhershme mes Izraelit dhe Palestinës. Megjithatë këta të fundit pretendojnë se vendimi i Shteteve të Bashkuara ka minuar procesin e dialogut për paqe mes dy vendeve. /abcnews.al