Kancelari gjerman Olaf Scholz përmendi përgjegjësinë e vendit të tij për Holokaustin, duke deklaruar në Tel Aviv se Berlini do të qëndrojë gjithmonë pranë shtetit hebre, ndërsa Netanyahu e krahasoi Hamasin me nazistët.
“Siç thashë javën e kaluar në Bundestag, në kohë të vështira, Gjermania ka vetëm një mundësi, të qëndrojë pranë Izraelit”, tha Scholz në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Siguria e Izraelit dhe qytetarëve të tij është e një rëndësie jetike për Gjermaninë, shtoi Scholz dhe theksoi se “është shumë e rëndësishme të thuhet këtu se në këto kohë të vështira në Izrael: historia e Gjermanisë dhe përgjegjësia që ajo kishte për Holokaustin na kërkon ne për të mbështetur sigurinë dhe ekzistencën e Izraelit”.
Scholz theksoi gjithashtu se “lavdërimi dhe kremtimi i dhunës është diçka çnjerëzore dhe e neveritshme”.
“Ndryshe nga Hamasi, i cili dëshiron të përdorë qytetarët e Gazës si mburoja njerëzore, shqetësimi ynë shtrihet edhe tek ata”, shtoi ai, duke thënë se “ne duam të mbrojmë civilët dhe të shmangim viktimat civile”, tha Scholz.
Nga ana e tij, Netanyahu tha se “Hamasi janë nazistët e rinj, Hamasi është ISIS, në disa raste më keq se ISIS” dhe shtoi se “ashtu si bota u bashkua për të mposhtur nazistët, ashtu siç u bashkua bota për të mposhtur ISIS-in, bota duhet të qëndrojë e bashkuar pas Izraelit për të mundur Hamasin”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i bëri thirrje sot “botës të qëndrojë e bashkuar me Izraelin për të mposhtur Hamasin” pas sulmit vdekjeprurës të lëvizjes islamike palestineze ndaj Izraelit më 7 tetor.
“Barbaria që pamë, e kryer nga vrasësit e Hamasit në Gaza, është krimi më i keq i kryer kundër hebrenjve që nga Holokausti”, theksoi Netanyahu.