Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u takua të hënën në mëngjes më 10 nëntor me këshilltarin e lartë të Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, në zyrën e tij në Jerusalem.
Qëllimi i takimit ishte koordinimi i përpjekjeve për armëpushimin në Gaza dhe kthimin e trupave të pengjeve të vrarë nga Hamasi. Sipas një zëdhënësi të qeverisë izraelite, bisedimet u përqendruan në çarmatimin e Hamasit, demilitarizimin e Gazës dhe përjashtimin e grupit nga çdo rol i ardhshëm në territor.
Këto janë pjesa kryesore e fazës së dytë të planit të paqes në Gaza, të presidentit amerikan Donald Trump. Në takim morën pjesë edhe ministri izraelit Ron Dermer dhe këshilltari amerikan, Aryeh Lightstone.
Diskutimet vijnë, ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli po shqyrtojnë fatin e 100 deri 200 militantëve të Hamasit, të fshehur në tunele nën Rafah.
Washingtoni po ushtron presion që këta luftëtarë të lejohen të dorëzojnë armët në këmbim të kalimit të sigurt. Izraeli deri tani nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare mbi këtë propozim.
E diela shënoi edhe kthimin e trupit të oficerit izraelit Hadar Goldin, i mbajtur peng nga Hamasi që prej vitit 2014. Kthimi i trupit besohet të jetë pjesë e negociatave për dorëzimin e luftëtarëve të bllokuar në tunele. Raportimet mediatike pretendojnë se Turqia ka luajtur rol ndërmjetësues në këtë marrëveshje.
Megjithatë, burime të tjera pretendojnë se Ankaraja kërkoi lëshime, që Izraeli nuk i pranoi. Një burim palestinez tha se Turqia po punon, me mbështetjen amerikane, për lirimin e trupave të pengjeve të mbetura.
Netanyahu tha në Knesset se Izraeli do të zbatojë armëpushimin në Gaza dhe Liban “me grusht të hekurt”. Ai shtoi se lufta nuk ka mbaruar dhe se Hamasi “do të çarmatoset dhe Gaza do të demilitarizohet”, raporton The Times of Israel.
Këshilltari amerikan Uitkoff tha se rasti i tuneleve në Rafah është një “projekt pilot” për çarmatimin e Hamasit. SHBA-ja po shqyrton mundësinë që luftëtarët të dërgohen në një vend të tretë, por ende nuk është gjetur një shtet pritës.
Krahu ushtarak i Hamasit tha se nuk do të dorëzohet dhe kërkoi garanci për vazhdimin e armëpushimit. Ndërkohë, trupat e katër pengjeve të vrarë ende nuk janë gjetur, sipas ndërmjetësve.
Një tjetër çështje e hapur mbetet krijimi i një Force Ndërkombëtare Stabilizimi në Gaza. SHBA-ja po kërkon ta sanksionojë këtë fazë të planit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Emiratet e Bashkuara thanë se nuk do të marrin pjesë pa një kuadër të qartë veprimi. Trump pretendon se disa shtete janë të gatshme të dërgojnë trupa, por diplomatët arabë mohojnë.
Ndër shtetet e kontaktuara për kontribut janë Azerbajxhani, Indonezia, Emiratet, Egjipti, Katari dhe Turqia.Po të dielën, Azerbajxhani tha se nuk do të dërgojë forca, pa një ndalim të plotë të luftimeve. Më vonë gjatë ditës së sotme, Presidenti Trump priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin sirian Ahmed al-Sharaa. Takimi u fokusua në sigurinë rajonale dhe në negociatat për një marrëveshje sigurie mes Izraelit dhe Sirisë.

