Marrëdhëniet mes Izraelit dhe Australisë janë tensionuar ndjeshëm, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi kryeministrin australian Anthony Albanese për “tradhti ndaj Izraelit” dhe për “braktisje të komunitetit hebre në Australi”.
Deklaratat e Netanyahut erdhën pas një sërë vendimesh të qeverisë australiane, përfshirë ndalimin e hyrjes në Australi për deputetin e ekstremit të djathtë izraelit Simcha Rothman, pjesë e koalicionit qeverisës të Netanyahut. Rothman ishte ftuar nga Shoqata Hebraike Australiane (AJA) për të folur në disa aktivitete në vend.
Në një reagim të fortë, Netanyahu e quajti Albanesen “një politikan të dobët” dhe tha se historia do ta mbajë mend për këtë qëndrim.
Si kundërpërgjigje ndaj ndalimit të Rothman, Ministria e Jashtme izraelite anuloi vizat për zyrtarët australianë pranë Autoritetit Palestinez dhe paralajmëroi se do të shqyrtojë me kujdes çdo kërkesë zyrtare të Australisë për hyrje në Izrael.
Ministri australian i Emigracionit, Tony Burke, e justifikoi ndalimin duke thënë se Australia mban një “qëndrim të ashpër ndaj kujtdo që vjen për të përhapur urrejtje e ndasi”. Ai shtoi se Netanyahu po “reakton me mllef” për shkak të vendimit të fundit të Australisë për njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës, vendim i cili u bashkohet hapave të ngjashëm nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kanadaja.
Edhe lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, kritikoi ashpër qëndrimin e Netanyahut, duke e cilësuar si një “dhuratë” politike për kryeministrin australian. “Përplasja me Netanyahun sot e forcon çdo lider demokratik në botë,” shkroi Lapid në rrjetet sociale.
Nga ana tjetër, Shoqata Hebraike Australiane (AJA) njoftoi se Rothman do të marrë pjesë në ngjarjet e planifikuara në mënyrë virtuale, duke shtuar: “Komuniteti hebre nuk do t’i nënshtrohet Tony Burke apo Penny Wong.”
Tensionet vijnë në një kohë kur Australia ka raportuar rritje të rasteve të antisemitizmit, ndërsa komuniteti hebre në vend përbën një nga më të mëdhenjtë për frymë në botë të të mbijetuarve të Holokaustit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të drejtuar nga Hamasi, më shumë se 62,000 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës izraelite më 7 tetor. Izraeli nisi fushatën ushtarake pas sulmit të Hamasit, ku u vranë rreth 1,200 izraelitë dhe 251 të tjerë u morën peng. / abcnews.al /

