Nesër vazhdon mësimi normalisht, ministrja: Vetëm dy shkolla të mbyllura

schedule13:30 - 23 Shtator, 2019

schedule 13:30 - 23 Shtator, 2019

Ditën e nesërme nxënësit e arsimit parauniversitar në Elbasan, Tiranë dhe Durrës do të nisin mësimin normalisht. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, në një deklaratë për mediat të hënën njoftoi se do të jenë vetëm dy shkolla që nuk do të hapen për efekt sigurie.

Bëhet fjalë për dy shkolla vartëse në Bërxull të Vorës dhe Allgjatë të Tiranës, nxënësit e të cilëve do të transportohen nesër në shkollat qendër. Ministrja theksoi se të gjitha shkollat e tjera që pësuan dëmtime janë rregulluar nga ekipet e bashkive dhe janë të gatshme për të zhvilluar mësim.

“Kemi konstatuar se në territorin e Republikës së Shqipërisë shkollat janë kryesisht të padëmtuara dhe janë plotësisht të gatshme për të rifilluar mësimin nesër. Janë vetëm dy objekte shkollore, konkretisht shkollat vartëse në Bërxull të Vorës dhe tjetra në Allgjatë të Tiranës, të cilat ditën e nesërme nuk do hapen për efekt sigurie, por nxënësit e këtyre dy shkollave ngaqë janë shkolla vartëse dhe kanë numër të vogël nxënësish ato do të transferohen në shkollat qendër dhe u kemi siguruar transportin qysh nesër në mëngjes. 98 shkollat e tjera të cilat kanë pasur plasaritje në fasadat e mureve janë rregulluar qysh ditën e djeshme nga ekipet e bashkive dhe ditën e nesërme do të hapin dyert për mësim”, tha ministrja.

Gjithashtu ministrja bëri të ditur se mësimi të martën do të rifillojë me një video për masat që duhet të marrë gjithsecili në raste të fatkeqësive natyrore.

Në kuadër të mirinformimit, Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes po hartojnë materiale të tjera informuese për shkollat që secili nxënës të jetë i pajisur me informacione që të përballet në të ardhmen me fatkeqësi natyrore.

Momenti për panik dhe ankth ka përfunduar sipas ministres. Por rasti i djeshëm kur një media publikoi një lajm të rremë, sipas Shahinit, është sinjali që duhen fuqizuar kurrikulat për edukimin e nxënësve ndaj lajmit të rremë.

“Nuk ka më vend për panik dhe ankth. Po shohim që situata është drejt normalizimi dhe dita e nesërme do jetë një ditë normale e punës dhe e shkollës. Gjej rastin të dënoj një rast të paprecedentë. Atë të mbrëmjes së djeshme të përhapjes së një lajmi të rremë, “parashikues” të një tërmeti të madh, i cili shtoi panikun dhe ankthin tek qytetarët dhe të gjithë dolën në rrugë. Organet e drejtësisë po merren me ata që plasuan lajmin e rremë, ngaqë njoftimet e rreme që përhapin panik janë të dënueshme me ligj. Ajo që duhet të mbajmë në mend është që tërmetet nuk mund të parashikohen në asnjë vend. Nga lajme të tilla në të ardhmen ju lutem mos i merrni seriozisht. Rasti i mbrëmshëm na dha ne si MASR një sinjal të fortë që të fuqizojmë kurrikulat për edukimin mediatik të nxënësve, që t’i pajisim me informacione të nevojshme që t’i bëjë t’i dallojë ata mes lajmit të vërtetë dhe lajmit të rremë”, tha ministrja.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!