Barcelona luan nesër një ndeshje shumë të rëndësishme për një pjesë të mirë të fateve të sezonit. Katalanasit zhvillojnë ndeshjen e dytë të Kupës ndaj Sevillas, teksa është mundur 2-0 në ndeshjen e parë dhe i duhet një fitore me 3 gola diferencë për t’u kualifikuar.
Për këtë dhe për zhvillimet e fundit në lidhje me arrestimin e ish-presidentit Bartomeu ka folur trajneri Ronald Koeman në konferencën e sotme për mediet në kuadër të betejës së nesërme.
“Pse kaq shumë ngjarje jashtë fushe te Barça? Ndodh sepse është klubi më i madh në botë, të gjithë shikojnë te Barça. Shumë gjëra po ndodhin në klub dhe shtypi po përpiqet të marrë informacione, është normale. E ardhmja? Unë nuk kam folur me askënd. Duhet të presim kush vjen si president dhe planin e tij. Nëse nuk shoh një të ardhme, do të kemi probleme sepse unë kam një vit tjetër kontratë.
Arrestimi i Bartomeu? Kur doli lajmi unë u shokova sepse e njoh mirë atë dhe gjithashtu Oscar Grau. Ndihem shumë keq për ta, pata momente të rëndësishme me ta. Bartomeu ka qenë gjithmonë një person i jashtëzakonshëm për mua. Është e rëndësishme ta kthejmë rezultatin. Është një injeksion shumë i rëndësishëm për të ardhmen e këtij sezoni. Ne mendojmë se mund ta bëjmë, por duhet ta provojmë.
Skema 3-4-3? Është e mundur të luash me tre prapa. Ne jemi ekip shumë sulmues dhe krijojmë shumë raste. Ka momente në lojë kur mbërrijmë me 6-7 lojtarë në zonën kundërshtare. Gjithçka varet nga mentaliteti i trajnerit dhe lojtarëve. Araujo nuk ka qenë me grupin sepse ka disa shqetësime. Ne do të shohim nesër në seancën e fundit stërvitore dhe do të vendosim nëse ai hyn në listë.
Ka gjëra në jetë që ju nuk e dini se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Ditën kur u thirra për të ardhur si trajner, isha i vendosur ta pranoja atë. Duke ditur se ishte një moment delikat dhe se klubi kishte humbur para me Covid. Jeta është me ulje dhe ngritje dhe të përball me probleme dhe mundësi.
Gjëja më e rëndësishme është mentaliteti i ekipit. Motivimi im është i njëjtë nga dita e parë. E dija që arritja si trajner në Barça me Covid është e komplikuar dhe më e komplikuar me gjërat, që kanë ndodhur së fundmi. Unë dua të jem këtu dhe është puna ime. Detyra e presidentit të ri është të shënojë rrugën e tij.
Në të gjitha klubet ka momente të vështira dhe të komplikuara. Është e vërtetë që kanë ndodhur shumë gjëra këtë sezon, por ne jemi të lumtur dhe po luftojmë për të fituar trofe. E rëndësishme është fusha dhe ndeshjet. Unë jam në vendin më të mirë për mua, duke ditur problemet që ekzistojnë. Deri në ditën e fundit do të jap më të mirën për Barça, qofshin një vit apo pesë vjet të tjera.
Xavi? Nuk jam i shqetësuar. Unë kam një kontratë. Kur e dimë kush do të jetë president, ai duhet të më tregojë rrugën e tij. Kjo do të ndodhë në javën e ardhshme. Ne e dimë që është 2-0 kundër dhe është një rezultat i vështirë për t’u rikthyer, por ka mundësi. Ne kemi treguar se ekipi është i uritur dhe është përqendruar të bëjë gjëra të mira.
Kemi nevojë për më shumë efektivitet, diçka që e kemi treguar kohët e fundit. Ne kemi krijuar më shumë shanse sesa rivali, por duhet të kërkojmë më shumë efektivitet në rastet kur krijojmë. Përveç portës së pastër, e cila do të jetë jetike në ndeshjen e nesërme. Ka gjëra që vështirë se mund të shpjegohen. Unë gjithashtu u habita dje për faktin që ishte kthyer në stërvitje. Sot ai u stërvit pa probleme. Duhet të presim deri nesër, por ai mund të futet në listë”, u shpreh Koeman. /abcnews.al