“Nëse ata ikin….”. Si e paralajmëroi Basha arratisjen e Klodian Zotos dhe Stela Gugallës. Afera 3.6 milion euro në “xhep” të Lefter Kokës

schedule17:40 - 14 Dhjetor, 2021

schedule 17:40 - 14 Dhjetor, 2021

SPAK arrestoi mesditën e sotme Lefter Kokën, ndërsa shpalli në kërkim Klodian Zoton dhe Stela Gugalljan pasi akuzohen për një aferë korruptive me vlerë 3.6 milion euro, të cilat në fund i ka përfituar në formë rryshfeti ish-ministri.

Prokurorët e SPAK pretendojnë se kanë zbërthyer edhe skemën e përdorur, përmes të cilës 3.6 milion euro u morën nga buxheti i shtetit përmes faturave fiktive dhe sërish nëpërmjet tyre i kaluan Lefter Kokës në formën e shpërblimit për shërbimin e bërë ndaj kompanive “Albtek Energy” dhe “Integrated Technology Services” duke lejuar ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit në shkelje të plotë të procedurave.

SPAK u vu në lëvizje nga një padi e Partisë Demokratike si edhe LSI-së në tetor të vitit 2020, ku kërkohej hetimi i aferës së inceneratorëve dhe emrave të përfshirë në to.

Vetëm 9 ditë pas kësaj padie nga PD, kryedemokrati Lulzim Basha do të shprehej në një konferencë për gazetarët se SPAK duhej të ndërhynte pasi mafia e plehrave sipas tij, po i bënte presion pikërisht pronares dhe administratores së inceneratorit të Elbasanit, Stela Gugallja. Sipas Bashës, ajo ishte larguar nga Shqipëria fill pas padisë së PD-së dhe mbahej nën presion nga mafia e plehrave.

“Prej më shumë se një jave i kërkoj SPAK-ut të nisë hetimet për aferën e mafias së inceneratorëve. Një nga personat kyç për hetimin e inceneratorëve, është vënë nën presion nga mafia. Mafia e plehrave, presion mbi një prej personave kyç në skemën mafioze të inceneratorëve, Stela Gugallja. Nëse përgjegjësit e kësaj afere arratisen, përgjegjësia është e SPAK-ut. Paralajmëroj SPAK-un se nëse ndonjë prej të dyshuarve kryesorë në aferën e plehrave largohet, do të jetë përgjegjësia e SPAK”, tha Basha.

Fill pas akuzave të Bashës, reagoi në atë kohë edhe Gugallja duke thënë për “Panorama” se i vetmi person që po i bën asaj shantazh ishte pikërisht kryedemokrati.

“Nuk jam dhe nuk ndihem për asnjë moment e kërcënuar apo e shantazhuar nga askush. Në jetën e biznesit dhe jashtë saj nuk jam përfshirë në asnjë veprimtari të paligjshme që të më bëjë objekt shantazhi apo kërcënimi. I vetmi që më ka vënë nën presion dhe më shantazhon është zoti Lulëzim Basha dhe njerëz rreth tij. Prej kohësh jam vënë nën sulme politike nga Partia Demokratike, në të cilën unë dhe familja ime kemi aderuar si anëtarë që në lindjen e saj, duke e mbeshtetur prej viteve 90”, u shpreh Gugallja.

Që prej atij muaji duket se gjithçka u harrua, por SPAK vijoi hetimet duke zbuluar edhe skemën e përvetësimit të 3.6 milion eurove nga Lefter Koka në formën e rryshfetit. Sipas SPAK, dy kompanitë e inceneratorëve, Albtek Energy” dhe “Integrated Technology Services”, në pronësi të Stela Gugalljas dhe Klodian Zotos i dhanë Kokës 3.6 milion euro rryshfet pasi kishte mundësuar licencimin dhe ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit.

SPAK nuk mundi t’i arrestojë sot Gugalljan dhe Klodian Zoton pasi ata nuk ishin në Shqipëri duke u shpallur kështu në kërkim. Në atë kohë, Basha paralajmëroi se Gugallja dhe Zoto ishin arratisur nga vendi dhe duket se kjo ka ndodhur, nisur edhe nga fakti se SPAK nuk i ka gjetur në Shqipëri. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!