Nepal, stuhia e deborës shfarros grupin e alpinistëve

schedule22:01 - 13 Tetor, 2018

schedule 22:01 - 13 Tetor, 2018

Një stuhi dëbore në Nepal ka shkaktuar vdekjen e një grupi alpinistësh, të cilët ishin mbledhur për të ngjitur një prej majave më të lalrta të Himalajeve.

Të paktën 9 alpinistë kanë humbur jetën pasi një stuhi e dhunshme dëbore shkatërroi kampin e tyre në një nga majat e Himalajeve, në perëndim të Nepalit. Bëhet fjalë për 5 alpinistë koreano-jugorë dhe 4 guida nepaleze, që kishin ngritur çadrat në malin Gurja. Ekipet e shpëtimit kanë mbërritur në zonë me anë të helikopterëve dhe nga ajri kanë konstatuar trupat e pajetë të 7 personave. Dy të tjerët nuk janë gjetur ende, por autoritetet nuk kanë dyshim se edhe ata kanë humbur jetën.

Mediat lokale raportojnë se alpinisti koreano-jugor Kim Çang ho, personi që ka arritur të ngjisë më shpejt 14 majat më të larta malore të botës pa përdorur pajisje oksigjeni shtesë, është mes viktimave. Autoritetet vendase deklarojnë se një ekip tjetër për rekuperimin e trupave do të dërgohet ditën e diel, nëse kushtet e motit do ta lejojnë. Organizatorët e ekspeditës dhanë alarmin pasi prej 24 orësh kishin humbur kontaktet me grupin e alpinistëve. Atletët kishin pritur që të përmirësohej moti për të arritur majën, por të premten u përfshinë nga stuhia.

Baza e ngritur prej tyre, që është të paktën një ditë larg në këmbë nga fshati më i afërt, ndodhej në 7.1 mijë metra lartësi. Mali Gurja, rrallë herë i rrahur nga alpinistët, ndodhet në rajonin Anapurna të Nepalit, pranë majës së shtatë më të lartë në botë, Dhaulagiri, që shpesh herë preket nga orteqet. Që prej vitit 1996 askush në botë nuk ka arritur majën e tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!