Barrikada mbi urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë, e vendosur nga strukturat paralele serbe të veriut, është hequr përfundimisht më 17 qershor të vitit 2014, rreth orës 5:00 të mëngjesit.
Aksioni për heqjen e kësaj barrikade, që dikur ishte vendosur nga të ashtuquajturat “rojat e urës”, është hequr nga të njëjtit dhe ka zgjatur rreth katër orë, ndërsa nuk është shënuar ndonjë incident.
Gjatë këtij aksioni, mbi urë ishin vërejtur forca të shtuara të Policisë së Kosovës dhe karabinierëve italianë, të cilët nuk kishin lejuar praninë e qytetarëve afër urës. Ndryshe, heqja e barrikadës, e cila prej shumë kohësh kishte ndarë qytetin e Mitrovicës dhe kishte penguar lirinë e lëvizjes, është bërë nga dy ekskavatorë që kishin ardhur nga veriu./KosovaPress