Nënstacioni i ri i Kajanit, Balluku: Rritet siguria dhe cilësia e furnizimit me energji

schedule15:55 - 3 Tetor, 2019

schedule 15:55 - 3 Tetor, 2019

Nënstacioni elektrik 110 kilovolt në Kajan të Belshit është drejt përfundimit dhe sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë do të furnizojë me energji rreth 16 mijë banorë. Ministrja Balluku gjatë inspektimit të punimeve theksoi se ky investim do të krijojë edhe infrastrukturë rrugore më të mire për këtë zone.

Investimi në nënstacionin e ri 110 kv të Kajanit në Belsh do t’u vijë në ndihmë afro 16 mijë banorë të kësaj zone. Këtë e bëri të ditur ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku teksa inspektoi punimet nga afër.

“I gjithë ky nënstacion është i kontrolluar në mënyrë automatike për të gjitha defektet që ndodhin nga qendra. Ky investim parashikohet që të dorëzohet deri në fund të vitit dhe është një investim i cili përmirëson cilësinë e jetës së katër mijë abonentëve ose thënë ndryshe rreth 16 mijë qytetarëve”.

Sipas ministres Balluku ky projekt parashikon edhe ndërhyrje në infrastrukturën e zonës, që do të lidhë nënstacionin me rrugën nacionale.

“Ky investim ndikon direkt edhe në infrastrukturën e zones, pasi një pjesë e projektit është rehabilitimi i rrugëve lidhëse të këtij nënstacioni me rrugën nacionale, duke bërë kështu që të gjithë banorët e zonës të përfitojnë nga rrugët e shtruara dhe të asfaltuara që shkojnë deri në banesat e tyre”.

Projekti prej 1 milion euro për rikonstruksionin e nënstacionit të Kajanit parashikon ndërtimin e një muri rrethues si dhe disa rrugëve të reja në brendësi të tij. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!