Maqedonia e Veriut ka shënuar një ditë të rëndësishme në historinë e saj me nënshkrimin e protokollit për anëtarësimin në NATO. 29 ambasadorët e vendeve anëtare nënshkruan gjithashtu protokollin, ku firma e parë ishte ajo e Shqipërisë.
Ambasadorët e 29 vendeve anëtare të NATO Aleancës nënshkruan Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO në Bruksel. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se ky është një moment historik për vendin dhe se kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras kanë treguar guxim të madh me arritjen e Marrëveshjes së Prespës, duke dhënë kontribut të madh për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.
“Një ditë historike për Maqedoninë e Veriut. Sot firmosim protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Firmosja e protokollit shënon fillimin e procesit të ratifikimit dhe sapo ky proces mbaron, NATO do të mund ta presë në gjirin e saj Maqedoninë e Veriut si anëtar i 30 anëtar i kësaj organizate. Kjo do të kontribuojë për stabilitetin, sovranitetin dhe sigurinë dhe do t’i sjellë më shumë stabilitet rajonit të Ballkanit”.
Stoltenberg theksoi se deri në mbarimin e procesit të ratifikimit, vendi duhet të vazhdojë me procesin e reformave, duke përgëzuar pjesëmarrjen e deritanishme të vendit në operacionet e NATO-s. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Nikola Dimitrov, i sapokthyer nga Nju Jork nuk e ka fshehur emocionin e tij. Ai është shprehur se me këtë hap përmbushet objektivi strategjik i baballarëve të Maqedonisë.
“Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO ka qenë objektiv i shumë gjeneratave, por ka qenë detyra e kësaj gjenerate. Kjo tregon që e pamundura mund të bëhet e mundur. Asgjë nuk shkruhet derisa ta shkruajmë”.
Në përfundim të fjalimeve, protokolli është firmosur nga të gjitha shtetete anëtare të NATO-s. Ka qenë ambasadori Visho Ajazi, që në emër të Shqipërisë nënshkroi i pari protokollin e anëtarësimit të NATO-, i ndjekur nga shtetet e tjera anëtare./abcnews.al