Nënshkruhet pakti për kufirin, Frontex vjen muajin e ardhshëm

schedule13:41 - 12 Shkurt, 2018

schedule 13:41 - 12 Shkurt, 2018

Për kontrollin e kufijve të vendit tonë, do mendojë edhe Frontex. Një marrëveshje mes Shqipërisë e BE-së është firmosur në Tiranë nga eurokomisioneri për emigracionin, Avramopulos dhe ministri i Brendshëm, Xhafaj. Roja bregdetare kufitare e BE-së do ndihmojë në parandalimin e trafikut të drogës drejt vendeve të Unionit.

Shqipëria dhe Komisioni Europian ratifikuan marrëveshjen për sigurinë e kufijve dhe mundësinë që do të ketë Tirana zyrtare për të aplikuar për fonde në Bruksel lidhur me luftën kundër drogës. Marrëveshjet u firmosën gjatë vizitës në kryeqytet të komisionerit të KE-së për Sigurinë dhe Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopulos dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Bashkimi Europian ratifikoi me Shqipërinë marrëveshjen për menaxhimin dhe kontrollin e kufijve, kjo edhe në kuadër për të parandluar trafikun e drogës drejt vendeve të BE-së. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, minsitri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, theksoi se kjo marrëveshje rrit sigurinë e kufinjve, ndërkohë i dërguari i Brukselit në Tiranë, Dimitri Avramopulos, vuri theksin te abuzimi me liberalizimin e vizave.

Fatmir Xhafaj: “Dëshiroj t’iu bëj të njohur faktin se, së bashku ne sot konkluduam siglimin e marrëveshjes me FRONTEX për “Rojën Bregdetare dhe Kufitare”. Forcimi i bashkëpunimit operativ mes vendeve të rajonit dhe Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare, ne besojmë do të kontribuojë në menaxhimin më të mirë të migracionit të parregullt, do të rrisë më tej sigurinë në kufijtë e jashtëm të BE-së, si dhe do të forcojë aftësinë e Agjencisë për të vepruar në vendet e afërta me BE-në, siç është Shqipëria”.

Dimitri Avramopulos: “Kjo marrëveshje do të mundësojë që në të ardhmen të vendosen në Shqipëri ekipe nga Agjencia Europiane e Kufirit dhe Rojes Bregdetare. Në fakt, siglimi i kësaj marrëveshjeje shënon edhe fundin e negociatave. Marrëveshja do të firmoset në mënyrë zyrtare diçka më vonë, mbasi të dy palët të kenë përfunduar procedurat e tyre ligjore të brendshme. Kjo është marrëveshja e parë dhe ne shpresojmë që të përmbyllim së shpejti marrëveshje të ngjashme të cilat aktualisht janë duke u negociuar me Serbinë, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe me aktorë të tjerë kyç në të ardhmen. Duhet të ulni numrin e atyre personave që abuzojnë me liberalizimin e vizave, sepse besoj që të gjithë ne duam ta ruajmë dhe ta kemi procesin e liberalizimit të vizave.”

Ministri i Brendshëm i premtoi Avramopulos se Shqipëria nuk do të jetë më në hartën e vendeve që kultivojnë kanabis.

Fatmir Xhafaj: “Me operacioni ‘Forca e ligjit’, rezultatet e para janë inkurajuese. E njoha me faktin se Policinë e Shtetit do e sjellin më standardet evropiane, por edhe për Vettingun në polici që sapo e kemi nisur”.

Dimitris Avramopulos: “Ndoshta të gjithë e kujtojnë se si e ka parë bota Shqipërinë deri para pak vitesh. Sot jam i impresionuar nga çdo gjë që keni arritur tashmë për drejtësinë dhe çështjet e brendshme. Lufta kundër krimit të organizuar duhet të vazhdojë dhe dëshiroj të mirëpres procesin e planifikuar të Vetting-ut në polici. Shqipëria po afrohet dhe më shumë me Bashkimin Europian. Në sytë e mi, si një mik i Shqipërisë është edhe kjo strategji kombëtare që ka ky komb kaq i madh. Sepse perspektiva europiane e Shqipërisë do të bëjë të mundur stabilitetin, progres , rritje, zhvillim dhe një përmirësim të të gjitha standardeve për qytetarët shqiptar”.

Në fund, Avramopulos shtoi se dëshirohet vërtetë që Shqipëria të vijë sa më afër BE në vitet e ardhshme./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!