Është nënshkruar sot marrëveshja e bashkëpunimit mes Albgaz dhe kompanisë spanjolle ENAGAS, duke i hapur rrugë të dyja palëve për të punuar dhe ndërvepruar së bashku sa i takon projekteve të rëndësishme që Qeveria Shqiptare ka në sektorin e gazit.
E pranishme ishte zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Balluku tha se ky është një moment i veçantë për Shqipërinë, pasi pavarësisht se prodhojmë 100% të energjisë së rinovueshme, sërish kemi nevojë për burime alternative.
Balluku: Duke nisur nga 2020 na është dashur të mblidhemi të firmosim marrëveshje që ndoshta për publikun duken sikur nuk janë aksione të vërteta. Sot është një ditë e veçantë. Ne i kemi hapur rrugë në një periudhë të vështirë përgjatë verës, për të pasur rezultate sot. Në javën e parë të tetorit kemi arritur të konkludojmë një marrëveshje bashkëpunimi, e cila vendos në një kuadër të pastër ligjor hapat që do të hedhim në të ardhmen. Nuk ka asnjë shtet i cili është imun nga kriza që ka krijuar në ditët e sotme energjia. Nuk është thjesht çështja e çmimit, nuk është thjesht tregu që po sillet në një mënyrë të paprecedent, por ka të bëjë me sigurimin e energjisë. Shqipëria ka qenë imune nga problemi i gazit rus, por nga ana tjetër ne nuk jemi imunë nga importet e energjisë elektrike. ne prodhojmë 100% energji të rinovueshme, por edhe në ditët më të mira energjia nuk është më shumë se 75% e nevojës të tregut. Ne jemi të detyruar që 25% ta blejmë në import. Asnjë shtet nuk është i përgatitur për të përballuar këtë krizë energjitike. Energjia e rinovueshme është një prioritet për Shqipërinë. Sot ka nisur ndërtimi i disa parqeve fotovoltaike. Por shpesh janë energji të rinovueshme shpesh herë të ekspozuara ndaj kushteve atmosferike. Për të pasur një burim të qëndrueshëm, kemi nisur prej kohësh një projekt, i cili u kthye në një projekt rajonal me interes për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.