Gjashtë persona kanë humbur jetën ndërsa nëntë të tjerë raportohet se janë plagosur, pasi një nëndetëse turistike është mbytur në brigjet e Egjiptit.
Sipas mediave të huaja, katër persona ndodhen në gjendje kritike për jetën.
Nëndetësja Sindbad Submarines, e cila ishte në një turne detar në Hurghada, në Detin e Kuq, kishte gjithsej 44 pasagjerë. Deri më tani, shërbimet e shpëtimit kanë arritur të shpëtojnë 29 persona. Në vendngjarje janë dërguar 21 autoambulanca të cilat u kanë ardhur në ndihmë të lënduarve.
44 pasagjerët janë të kombësive të ndryshme dhe po merrnin pjesë në një ekskursion detar për të parë shkëmbinjtë koralorë dhe peshqit tropikal të Egjiptit.
Kjo nëndetëse e veçantë ka operuar rrugë turistike në Hurghada për disa vite. Deri më tani nuk janë konfirmuar apo bërë të ditur zyrtarisht shkaku dhe rrethanat e sakta të mbytjes.
/abcnews.al/