Pas përfundimit të hetimeve në prokurorinë e Gjirokastrës, për vdekjen e minoritarit grek Kostandino Katsifas tre vite më parë në Bularat, nëna e tij ka reaguar për mediat greke. Ajo shprehet se ata nuk kanë mundur të shpjegojnë pse e vranë djalin e saj dhe për këtë arsye e konsideruan vdekjen e tij si vetëvrasje.
“Pas nuk mundën t’i japin shpjegim pse e vranë djalin tim, ata e cilësuan vetëvrasje pas tre vitesh”, shprehet për Protothema.gr Vasiliki Katsifas.
Ajo thekson se nuk kanë marrë një përfundim të hetimeve në duart e tyre, por vetëm një letër nga prokuroria që flet për vetëvrasjen e djalit të saj me dy plumba në fytyrë. Vasiliki Katsifa paralajmëron se do t’i drejtohet Gjykatës Europiane për të zbuluar të vërtetën.
“Ne nuk morëm një përfundim në duart tona. Një letër erdhi nga Prokuroria që flet për “vetëvrasjen e fëmijës tonë”, me dy plumba në fytyrë. Në pamundësi për ta hetuar çështjen, ata e quajtën vetëvrasje pas tre vjetësh. Ajo që po ndodh është e papranueshme. E vërteta duhet të shkëlqejë dhe ne do të shkojmë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut,” tha Katsifas, duke u kërkuar autoriteteve shqiptare të publikojnë videon e operacionit.
“Nëse ai bëri vetëvrasje siç thonë ata para burrave të RENEA, le ta publikojnë videon nga kamerat. Por ata nuk e bëjnë, sepse e vërteta është ndryshe. Fëmija im humbi jetën sepse mbrojti të drejtën e tij për të ngritur flamurin grek. Unë dua që e vërteta të dalë në dritë. Lufta jonë vazhdon”, përfundon nëna e Konstandino Katsifas. m.v/Abcnews.al