Braziliani Nejmar, sipas të gjitha gjasave nuk do të luajë për Paris Sen Zhermenin, në përballjen vendimtare të Championsit, kundër Realit. Jo vetëm kaq, por sulmuesi ka një plan që mund ta lerë edhe më gjatë, jashtë fushave të lojës.
Ky ishte momenti që tronditi pa masë.
Një investim prej 222 milionë eurosh, me emrin Nejmar, doli jashtë funksionit të paktën përkohësisht, pas një aksioni krejt normal futbolli.
Ylli më I madh I Paris SG me shumë gjasa nuk do të luajë në përballjen e dytë dhe vendimtare të francezëve ndaj Realit të Madridit, në Ligën e Kampionëve.
Vizita mjekësore vërtetoi atë që ia kishin frikën, pra që sulmuesi ka thyer një kockë të gishtit të këmbës, si dhe ka dëmtim në gju, edhe pse jo shumë të rëndë.
E gjitha kjo do të thotë të paktën 1 muaj mungesë, ndërsa përballja në “Park dë Prensis” për Championsin luhet mesjavën e ardhshme.
Jo vetëm kaq, por lajmet janë që Nejmar ka në mendje një plan që mund ta mbajë edhe më gjatë jashtë fushave të lojës.
Mediat braziliane dhe ato spanjolle njoftojnë se futbollisti ka ndërmend t’i nënshtrohet operacionit për të qenë gati për Kupën e Botës me Brazilin, turneun që e konsideron më të rëndësishmin e vitit, edhe më të rëndësishëm sesa Ligën e Kampionëve.
Trajneri Unai Emeri është vërtet I shqetësuar nga ky zhvillim I fundit.
Skuadra e tij, edhe duke pasur Nejmarin në përbërje, nuk do ta kishte të lehtë të përmbyste humbjen 1-3 me Realin, pësuar në “Santiago Bernabeu”.
Aq më të pakta janë shanset tani, me këtë mungesë të madhe.
Sidoqoftë, trajneri dhe tifozët kanë shpresë që yjet e tjerë do të reagojnë për të plotësuar boshësinë, dhe për të treguar se bëjnë pjesë në një skuadër të madhe, që nuk varet vetëm nga një njeri./abcnews.al