Nejmar barazon legjendën Pele me numrin e sfidave për Brazilin

schedule10:00 - 13 Shtator, 2018

schedule 10:00 - 13 Shtator, 2018

Kapiteni i Brazilit, Nejmar, mbërriti legjendën Pele për numrin e ndeshjeve në ekipin përfaqësues. Sulmuesi 26-vjeçar synon të kalojë edhe rekordin e golave të ish-kampionit të botës.

Ishte minuta e katërt në sfidën Brazil-Salvador. Ishte kapiteni barzilian, Nejmar, që realizoi rrjetën e parë në miqësoren që po luhej në stadiumin “Fedeksfild” të Merilendit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më shumë sesa për golin, Nejmar besohet se festoi edhe sepse barazoi numrin e ndeshjeve me fanelën e Brazilit, të legjendës Pele. Nëntëdhjetedy herë luajti për “selesaon” i mbiquajturi “Mbreti i Futbollit”, 92 mbushi edhe ai që pretendon të jetë një nga pasardhësit e tij.

Natyrisht, Nejmar është larg rekordit absolut të mbajtur nga legjenda tjetër Kafu, me 142 të tilla, por gjithsesi, mosha e re 26-vjeçare mund ta ndihmojë të arrijë deri aty, nëse do të ketë fat me shëndetin. Nejmar ka shpresë të thyejë edhe rekordin tjetër të Pelesë, që është edhe rekord i Brazilit, atë për numrin e golave në ekipin përfaqësues. Ai arriti në 59, duke qenë ende 18 rrjeta poshtë kapitenit të dikurshëm, që ka 92.

Nejmar ka padyshim një mesatare më të ulët goli për ndeshje, 0.64 në krahasim me 0.83, por nëse arrin rekordin, ai do të jetë gjithsesi rekord. Pele luajti për 14 vite në kombëtaren braziliane, duke shkëlqyer e duke arritur kulme që besohet nuk i ka arritur askush tjetër.
Ai doli tri herë kampion i botës, duke qenë protagonist në finalet e viteve 1958 e 1970. Në të kundërt, Nejmar ka arritur të fitojë vetëm Kupën e Konfederatave, dhe shpreson që t’ia dalë edhe në Botëror./abcnews.al