Negociatat, Vlahutin dhe ambasada e SHBA-së përgëzojnë Shqipërinë

schedule15:29 - 27 Qershor, 2018

schedule 15:29 - 27 Qershor, 2018

Sipas ambasadorës së delegacionit të BE në Tiranë, Romana Vlahutin, Shqipëria mori 3 gjëra të rëndësishme nga vendimi i djeshëm i ministrave të Jashtëm. Edhe ambasada e SHBA-ve në Tiranë përgëzon Shqipërinë për këtë vendim për negociatat dhe thotë se është koha për të cuar deri në fund reformat.

Edhe pse Shqipëria nuk do të hapë negociatat me Bashkimin Evropian ka marrë urime të shumta nga diplomacia ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.

Dritë jeshile para dhënies së vendimit e po kështu e sheh edhe pasi Shqipërisë nuk do t’i çelen negociat këtë fund Qershori.

“BE njohu të gjitha reformat e Shqipërisë dhe se sot kemi një datë të qartë për çeljen e negociatave. Shqipëria ka marrë 3 gjëra shumë të rëndësishme pozitive. E para, njohja e rekomandimit e të gjithë reformave, e dyta një kalendar i qartë, një datë shumë të qartë për konferencën ndërqeveritare dhe kjo është shumë e rëndësishme”.

Tahmë ambasadorja Vlahutin e ka mbyllur detyrën e saj ndaj Shqipërisë. Lajmin i vitit të ardhshëm pozitiv apo negative do t’i takojë pasardhësit të saj në detyrë.

“Ky është kalendari dhe nga kjo gjë do të dëgjoni më tepër nga ambasadori i ardhshëm, por ky është kalendari. Nuk mund të flas për diçka që do të ndodhë pas një viti. Unë nuk mund të parashikoj se ç’mund të ndodhë pas një viti”.

Pas një viti nuk do të jetë as ambasadori i shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu, por sot mesazhi që përcjell në emër të diplomacisë amerikane është optimist, por edhe këshillues.

“Përgëzojmë Shqipërinë për vendimin pozitiv në lidhje me hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Shqipëria ka bërë përparim domethënës dhe tani nevojitet të rrisë përpjekjet për të përfunduar reformat kyçe. Ne e nxisim Shqipërinë që të rrisë ritmin në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar”.

Holanda edhe pse është një prej tre shteteve që vendosi veto për të bllokuar hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian uron shqiptarët nëpërmjet ambasadores holandeze në Tiranë.

“Urime Shqipëria për këtë rrugë të pastër përpara”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!