NEGOCIATAT/ PE miraton kërkesën e deputetëve europianë, Shqipëria kushtëzohet me 15 pika

schedule09:18 - 19 Qershor, 2020

schedule 09:18 - 19 Qershor, 2020

Parlamenti Europian ka votuar në favor të vendosjes së 15 kushteve para hapjes zyrtare të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Siç raporton gazetarja Erisa Zykaj për abcnews.al, kjo është konfirmuar pas anonçimit të rezultatit të votimit lidhur me amendamentet e rezolutës së eurodeputetit Tonino Picula, mbi integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor,  nga zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Fabio Massimo Castaldo.

Amendamenti 42 i prezantuar nga eurodeputetja Kinga Gal e Partisë Popullore Europiane, ka të bëjë me kushtëzimin për procesin e hapjes së negociatave të  anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

 

Në këtë amendament thuhet :

“ Rekomandimi i Parlamentit Europian për Këshillin e ministrave, Komisionin Europian dhe zëvendëspresidentit të tij nënvizon 15 kushtet e vendosura nga Këshilli i ministrave, që Shqipëria duhet të përmbushë para zhvillimit të konferencës së parë ndërqeveritare me shtetet anëtare të Bashkimit Europian”.

Ky amendament u votua me 388 vota pro, 280 vota kundër dhe 19 abstenime.

Në rezolutën e Parlamentit Europian, kushtet nuk janë të specifikuara duke qenë se ato janë bërë publike nga vendimi i Këshillit të ministrave i Bashkimit Europian të 24 marsit, të aprovuar dhe nga liderët europianë.

Parlamenti Europian bashkohet kështu tërësisht me 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

Ky është një akt i rrallë dhe i fortë politik për këtë institucion, që përgjithësisht i kundërvihet shteteve anëtare të Bashkimit Europian.

Po në këtë rezolutë theksohet, se dështimi i Këshillit Evropian për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në qershor të vitit 2018, qershor të 2019 dhe tetor të 2019 ka patur një efekt të dëmshëm për zgjerimin./abcnews.al