Dy janë seancat dëgjimore me qëllim informimin mbi zhvillimin e bisedimeve me shtetin grek për një marrëveshje të re me detin. Gjatë seancës dëgjimore me ministrin Ditmir Bushati, komisioni i jashtëm dhe institucioni i Presidencës shprehën gatishmërinë për zhvillimin e një seance informative. Njëkohësisht komisioni i sigurisë, ditën e martë, do të pyesë Ministrinë e Mbrojtjes mbi një nga negociatorët e Ministrisë së Jashtme në këto bisedime.
Java e parë e muajit Mars e nis punën në komisionet parlamentare me seanca dëgjimore.
Dy janë kërkesat e pranuara, me burim Partinë Demokratike, që kanë për qëllim marrjen e informacionit rreth përparimit në diskutimet që shteti shqiptar zhvillon me atë grek për kufirin detar.
Kërkesa e shprehur direkt nga demokrati Tritan Shehu gjatë dëshmisë së ministrit Bushati në Komisionin e Jashtëm, për një seancë dëgjimore me kreun e shtetit,Ilir Meta, mori në përgjigje gatishmërinë e plotë të institucionit të Presidencës. Për të mundësuar këtë vullnet dypalësh të shprehur publikisht, anëtarët e komisionit të jashtëm, pa tagër për të thirrur kreun e shtetit të dëshmojë, dhe me frikën e krijimit të një precedenti, do të zhvillojnë mbledhjen në institucionin e presidencës.
Ora 8:15 e mëngjesit të së premtes do të përballë komisionin parlamentar të punëve të jashtme me Presidentin e Republikës, Ilir Meta, takim gjatë të cilit, ky i fundit pritet të informojë deputetët mbi bisedimet e zhvilluara deri më tani sa i përket negociatave me Greqinë.
Shefi i Ministrisë së Jashtme, Ditmir Bushati gjatë dëshmisë së tij në komision shprehu dëshirën për të qënë prezent gjatë këtij informimi nga Presidenti i Republikës. Por përpos mungesës së ministrit, në takim mund të mungojnë edhe mediat.
Një kërkesë e dytë është kjo, e depozituar ditën e premte nga demokratët pranë komisionit të sigurisë, i cili pasi pranoi kërkesën, përcaktoi ditën e martë për seancën dëgjimore me minsitren e mbrojtjes Olta Xhaçka, shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura dhe Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Arsyeja?
Artur Meçollari. I akuzuar nga opozita si i papërshtatshëm për të qenë pjesë e grupit negociator që do të zhvillojë bisedimet me Greqinë në emër të shtetit shqiptar për ndarjen e kufirit detar./abcnews.al