Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj e ka cilësuar si të pajustifikueshme vonesën e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të nënshkruar marrëveshjet me aleatët për mënyrën si do të futen në zgjedhjet e 25 prillit.
I ftuar në “Radarin Informativ” në ABC me Jonida Shehun, Mustafaj tha se është e pritshme që të gjitha partitë të kenë kërkesa të mëdha.
“Problemi do të jetë në vazhdim, ku parimi se përfaqësimi do të jetë proporcional, të gjitha partitë kanë shpesh kërkesa më të mëdha”, tha ai.
Duke iu referuar negociatave me Fatmir Mediun, ai tha se kreu i republikanëve kërkon që të mos përsëritet 2017.
“Unë nuk i di detajet e negocimit. Në pakënaqësinë e Mediut nëse ka të tillë, pasqyrohet, parimi i tij gjatë negociatave ka qenë që nuk duhet të ketë referencë nga 2017. Në këtë kuptim ata kërkojnë referenca të para 2017 ku sidomos një parti historike si PR, me një profil të qartë, me bazë elektorale, kërkon që të jetë e identifikuar në listën përfundimtare.
Basha me përvojën e tij në politikë, duhet të ketë mësuar që negociatat nuk janë imponim, por arritja e një të mesmeje që kënaqin të gjithë”, tha Mustafaj.
I pyetur se si ka menaxhuar Basha negociatat me aleatët e vet, ish-ministri shprehur rezervat, duke mos justifikuar vonesën e kryedemokratit, pasi kishte kohë të mjaftueshme.
“Unë besoj mirë. Jo shumë mirë. Do të kisha menduar, se ka ceduar tek koha. I ka lënë për në minutën e fundit. Nuk kishte asnjë arsye që të dorëzohen ditën e fundit para mesnatës. Ka pasur kohë të mjaftueshme që këto gjëra të zgjidhen edhe para tre muajsh. Nuk e di pse i ka lënë në minutën e fundit. Ajo që do mbyllet sot, nuk i mbyll negociatat midis tyre se kur të vijë puna te zbatimi i kësaj marrëveshje te lista, janë më të vështira, nuk mund të bëheshin më përpara. Por emri dhe logo duhej të bëheshin ngeshëm javë e javë më parë”, tha ai.
Lënia e gjërat në minutë të fundit, Mustafaj e quan çështje stili të Lulzim Bashës.
“Është çështje stili. Në 2017 pati një emergjencë që lidhej me çadrën dhe marrëveshja e famshme. Këtë herë nuk justifikohet”, tha ai.
I pyetur se me çfarë strategjie po shkon Basha në zgjedhje, Mustafaj vlerëson programin e demokratëve, pasi është hartuar nga gjermanët dhe ekspertë të mirë.
“Unë besoj se strategjia është shumë komplekse, trageti është moderne, po shkon në zgjedhje me një program të kompletuar. Ky program është i strukturuar shumë mirë dhe i realizueshëm. Është hartuar nga ekspertë shumë të mirë dhe nga gjermanët. Është program që po punohet prej më shumë se një vit”, tha ai. g.v/abcnews.al