Rreth 10 miliardë euro do ti kushtojë Shqipërisë mjedisi, si një ndër kapitujt më të vështirë për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian.
“Për të gjitha aspektet e investimeve që biznesi dhe shteti duhet të realizojnë në vitet në vijim, vlera e nevojshme arrin në rreth 9.8 miliardë euro. Një shifër e tillë është e lartë, por përfshin çështje mjedisore, nga ujërat e ndotura, emisionet industriale të prodhuesve më të mëdhenj, deri te direktivat për restaurimin e natyrës. Këto investime janë pjesë e një periudhe afatgjatë, duke pasur parasysh që edhe disa vende anëtare të BE-së nuk janë ende plotësisht të harmonizuara me standardet e BE-së.”
Ministri i Mjedisit tha se nuk do të ketë kosto shtesë për bizneset ndersa nënvizoi se është kërkuar një periudhë e ndërmjetme që sektori privat të përshtatet me standartet e reja mjedisore.
“Dua të siguroj bizneset që gjatë negociatave kemi insistuar që të sigurohen periudha tranzitore të mjaftueshme për sektorin privat. Kjo do të bëjë që bizneset të kenë kohën e nevojshmepër të përshtatur teknologjitë dhe për të mos u penalizuar me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Dy vitet e ardhshme janë vite politikbërje dhe pune intensive në hartimin e legjislacionit.”
Nje vit nga sekuestrimi 2800 ton mbetjeve të rrezikshme që u kthyen nga Tajlanda, ministri Jaupajt, tha se dy janë rrugët që pritet të ndiqen për asgjesimin e tyre.
“Ose do të ketë eksport për t’u asgjësuar në vendet e huaja, ose nëse vendoset që këto mbetje do të asgjësohen këtu, do të japim mbështetje me subjektet private në Shqipëri që kanë kapacitete dhe mundësi për asgjësimin e tyre. Për shkak të ndjeshmërisë, i gjithë procesi do të jetë transparent.”
Me reformën e re të menaxhimit të mbetjeve, Shqipëria është e ndarë në 10 zona, ku për secilën janë hartuar plane të detajuar investimesh, te cilat do të nisin gradualisht nga viti 2026 dhe do të vijojnë në vitet në vazhdim./abcnews.al


