Negociatat, Berlini: Po punojmë që konferenca për Tiranën dhe Shkupin të mbahet në dhjetor

schedule17:13 - 22 Shtator, 2020

schedule 17:13 - 22 Shtator, 2020

Ministri federal për çështjet evropiane, Michael Roth ka deklaruar në Bruksel, se presidenca gjermane po punon intensivisht për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në dhjetor.

“Gjatë presidencës kroate, ne i dërguam një sinjal shumë të fortë për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne po punojmë intensivisht, që të mund të kemi konferencën  e parë ndërqeveritare në dhjetor. Plani ynë është që ajo të mbahet në dhjetor. Ne po punojmë për të ndërtuar ura të qëndrueshme midis shteteve anëtare. Ne po diskutojmë gjithashtu çështjen e partnerëve bullgarë. Ne duhet të punojmë mbi një bazë për të cilën jemi dakordësuar.

Nuk mund të vihet me kritere dhe objektiva që nuk figurojnë në konkluzionet e Këshillit të Ministrave apo parimet bazë mbi të cilat kemi rënë dakord. Ndaj i bëj thirrje që të gjithë të përdorin frymën konstruktive. Ballkani Perëndimor nuk është kopshti i Evropës, por pjesë e hapësirës evropiane.

Është në interesin e të gjitha shteteve anëtare e sidomos atyre që ndajnë kufijtë me shtetet e Ballkanit Perëndimor t’ju ofrojnë një perspektivë të qartë këtyre vendeve, që ato të jenë vende në paqe, me stabilitet dhe siguri ”, tha Roth.

Ministri Roth është përgjigjur mbi ngërçin e krijuar për marrëveshjen bilaterale midis Bullgarisë dhe  Maqedoninë e Veriut pas takimit që ai ka pasur me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Nikola Dimitrov.

Ngërçi për marrëveshjen bilaterale midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë mban pezull aktualisht aprovimin e kornizës negociuese për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që Shqipëria ka ende disa kritere për të përmbushur për aprovimin e kornizë negociuese nga shtetet anëtare./abcnews.al/