Negociatat, Basha: Rama përgjegjës për dështimin

schedule13:15 - 3 Tetor, 2019

schedule 13:15 - 3 Tetor, 2019

Sipas kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kryeministri Rama është përgjegjës për dështimin për herë të katërt për hapjen e negociatave.

“Përgjegjësinë për dështimin për herë të katërt për hapjen e negociatave e ka Edi Rama dhe askush tjetër. Është dështimi i Edi Ramës. Është ky njeri në pushtet, vitin e fundit me dekret edhe Ministër i Jashtëm dhe ky dekret ka vulën e tij. Premtoi se do hapë negociatat dhe dështoi siç ka dështuar në çdo premtim tjetër. Ky nuk është dështimi i parë, as i dytë, as i tretë, por më i fundit në kaosin dhe krizën ku e ka futur vendin me qeverinë e tij të korruptuar”, tha Basha, sipas të cilit kjo është arsyeja pse largohen shqiptarët dhe kushtet për Shqipërinë shtohen.

Për kreun e PD-së, deklaratat që bën Rama se disa vende evropiane nuk duan zgjerim është mashtrim.

“Mashtrim se këto vende janë kundër zgjerimit, atëherë pse i thonë Po Maqedonisë dhe Jo Shqipërisë. Arsyeja është e thjeshtë, sepse Shqipëria ka dështuar në fushat ku Shqipërisë i është kërkuar progres”, tha Basha.

Ndër të tjera, kreu i selisë blu tha se Rama do t’i ikë përgjegjësisë. Sipas Bashës, 9 kushtet e Bundestagut gjerman janë një udhërrëfyes për daljen nga kriza.

“Nuk është momenti për të vazhduar një lojë 6-vjeçsre për të hedhur fajin, kur përgjegjësi është vetëm Edi Rama. Shqipëria është në krizë të thellë ekonomike, punësimi, politike dhe 9 kushtet dhe kërkesat e Bundestagut përbëjnë shprehjen më koncize të një udhërrëfyesi për daljen nga kjo krizë. Nuk kemi kohë për të humbur. Me njerëz që kanë dështuar, kanë vjedhur kanë dështuar dhe nuk mbajnë përgjegjësi. Është koha që njerëzit e përgjegjshëm të tregojnë se dinë t’i dalin zot këtij vendi”, tha Basha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!