Negociatat | Athina, “Po negociatave” me kushte?

schedule20:43 - 13 Tetor, 2019

schedule 20:43 - 13 Tetor, 2019

Athina zyrtare ende nuk e ka qartësuar plotësisht qëndrimin e vet ndaj hapjes së negociatave me BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pavarësisht që thotë se do të përdorë gjithë influencën e vet për këtë.

“Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, në një intervistë për shtypin vendas, le të kuptohet se Greqia ka mundësi t’i përsërisë kushtet e veta ndaj Tiranës dhe Shkupit, edhe gjatë samitit të BE-së, më 18 tetor. Analistët vlerësojnë se Athina nuk do të pengojë hapjen e negociatave, pa i ndarë të dy vendet. Por nga ana tjetër, do të insistojë që kërkesat e saj për minoritetin dhe marrëveshjen e Prespës, të përfshihen në rezolutën përfundimtare”.

Në intervistën për të përditshmen vendase, Kathimerini, Dendias është pyetur drejtpërdrejtë nëse Greqia dëshiron anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sa i përket Shkupit, Dendias thotë se “duhen respektuar me rigorozitet detyrimet që burojnë nga marrëveshja e Prespës”.

“Duam të biem dakord me qeverinë e Maqedonisë së Veriut për interpretimin e drejtë të marrëveshjes”, deklaron shefi i diplomacisë greke.

Ministri i Jashtëm grek ka folur më gjatë për Shqipërinë.

“Edhe Shqipërisë i flasim me sinqeritet. Kërkojmë mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek. Nuk kemi asnjë pretendim ndaj Shqipërisë. Greqia është faktor stabiliteti dhe i garantimit të kufijve. Mirëpo Shqipëria duhet të kuptojë se rruga europiane e saj përfshin mbrojtjen e vlerave europiane, që garanton mbrojtjen e minoriteteve. Presupozon gjithashtu dhe respektin ndaj pronës. Nuk mundet që pronat në bregdetin e Himarës që mos jenë objekt mbrojtjeje”, nënvizon ministri i jashtëm grek./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!