Në Vlorë e Shkodër u vaksinuan 90-vjecarët, i moshuari: A mund të pres edhe 4 vjet se 86 i mbusha

schedule18:04 - 1 Mars, 2021

schedule 18:04 - 1 Mars, 2021

Pritën të marrin dozën e parë të vaksinës, por u thanë se e përfitojnë vetëm ata mbi 90 vjeç.

Qëndruan për disa orë dhe pse vuajnë nga sëmundje të tjera. Pasi i futën në ambientet e brendshme, mësuan se nuk e kanë sot radhën.

“Nuk vijnë vaksina sot na thanë”, tha një i moshuar, ndërsa një tjetër i irrituar thotë se janë tallur me ta: “U tallën me ne”, shprehet ai.

Ndërsa një tjetër e moshuar tha se vaksinën nuk e bëjnë nëse nuk lëshohen të dhëna nga doktoresha. Majlinda Gjika shefe e epidemiologjisë shpjegon se nuk ka mungesa vaksinash, por vetëm ndryshim të moshës që do kryej vaksinën.

“Sot do të vaksinohen 90 vjeçarët të cilët janë lajmëruar nga mjeku i familjes”, thotë Gjika.

E njëjta situatë ishte edhe në Shkodër.

Kjo e hënë ka ngjallur irritimin e të moshuarve që kanë ardhur të vaksinohen. Shkak është bërë ndryshimi i fashës së moshës.

Por të moshuarit këtu në Shkodër, mundohen ta kalojnë këtë situatë me humor.

“Kemi ardhur sot, por na thotë të presim deri sa të mbush 90-vjeç. A mund të pres edhe 4 vjet se 86 i mbusha”, shprehet një i moshuar.

“Kam 85 vjet, na kanë thënë mbi 90-vjeç. Tani a mund t’i bëjmë edhe 5 vjet të tjera dhe 90-vjeç ata kanë kry punë. Kanë shku në punë të vet”, thotë një tjetër i moshuar.

Ata shprehen të zhgënjyer nga mënyra e organizimit, pasi janë njoftuar që të paraqiten pranë “Pallatit të Sportit” nga mjekët e familjes për të marrë dozën e parë të vaksinës.

/abcnews.al/