Në vend të trafikantit shtriu në tokë gazetarin, policia jep detaje për operacionin te “Varri i Bamit”

schedule18:41 - 27 Korrik, 2021

schedule 18:41 - 27 Korrik, 2021

Me anë të një njoftimi për mediat, policia ka dhënë detaje në lidhje me operacionin që dështoi sot te “Varri i Bamit”, ku pas arratisjes së një personi që ishte vënë në ndjekje, blutë shtrinë në tokë gazetarin e ndodhur rastësisht në vendin e ngjarjes për shkak se po filmonte skenën.

Arratia e drejtuesit të automjetit me xhama të zinj, i identifikuar si Gazmir Cani ka zgjatur pak minuta, pasi ai është shoqëruar nga policia bashkë me disa persona të tjerë mes të cilëve edhe drejtuesi i një makine tip Volvo Altin Gega, ndërkohë që janë sekuestruar 1 kilogramë e 128 gramë kokainë. Forcat Operacionale gjetën drogën e ndarë në pako, të vënë në kuti picash dhe të fshehur poshtë një makine.

Operacioni është ende në vijim e sipër. Në lidhje me ndalimin e gazetarit, policia thekson se po verifikohet respektimi i proceduarave gjatë ndërhyrjes në operacion.

Lexo edhe: Kaloi mes përmes policisë, ndalohet makina e zezë në Tiranë, 5 të arrestuar, sekuestrohet kokaina

“Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, mesditën e sotme zhvilloi një operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar një automjet, për ta kontrolluar, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të hapur dyert e makinës dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.

Pas disa minuta ndjekjeje nga ana e Policisë, është bërë i mundur bllokimi i mjetit dhe ndalimi i drejtuesit të tij, i cili është i shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Nga ana e strukturave hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po shqyrtohen dhe analizohen veprimet e drejtuesit të mjetit dhe arsyeja e kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kilogramë e 128 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe ka shoqëruar disa persona.

Operacioni është në vijim dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore do ketë një deklaratë përfundimtare për median dhe publikun.

Ndërkohë, nga ana e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është duke u verifikuar respektimi i proceduarave gjatë ndërhyrjes në operacion, si dhe lidhur me incidentin e ndodhur me gazetarin e TV News 24, z.Ergys Gjençaj.

Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar për të goditur çdo paligjshmëri, për të garantuar transparencë dhe siguruar mediat të kryejnë rolin e tyre. Asnjë incident i izoluar nuk do të ndikojë në këtë angazhim, për më shumë siguri për qytetarët”, njofton policia. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!