TIRANË- Edhe pse me një panorama të paqartë, thuajse në udhëkryq, drejt zgjedhjeve të 14 majit, Indrit Hoxha kandidati i dalë nga primaret e Sali Berishës, për Vorën, komentoi në ABC News situatën me të cilën po përballet sot Partia Demokratike.
Ai tha se personalisht nuk e priste që Gjykata e Apelit të jepte një vendim në favor të grupimit të Sali Berishës, ndërsa akuzon kryeministrin Edi Rama se ka kapur sistemin e drejtësisë dhe se po ndikon në thellimin e ngërçit në selinë blu.
Në studion e “Tirana Live” në Abc News, Hoxha tha se po mendojnë çdo metode ligjore për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore.
“Ne nuk jemi një një situatë normale politike dhe ligjore ne vendin tonë. Opozita ka shumë kohë që bënë denoncime që Edi Rama ka kapur sistemin e drejtësisë. Nuk prisja një vendim në favorin tonë. Po kërkohet asgjësimi dhe mospjesëmarrja e PD në zgjedhje. Ne do bëjmë gjithçka për të marrë pjesë në zgjedhje dhe ne do të fitojmë shumicën e bashkive. Do përdorim çdo metodë dhe hapësire ligjore për të marrë pjesë në zgjedhje. Do marrim pjesë në zgjedhje, në bazë të një koalicioni që do formohet, sepse Rama na ka futur në një ngërç ligjor”, tha ai.
Sipas tij, Bashkia e Vorës sot është e falimentuar për shkak të keqqeverisjes së Ramës.
“Bashkia ku unë kandidoj është e falimentuar, për shkak të keqqeverisjes se Edi Ramës. Po diskutohet se më kë do të bëhet koalicion, sepse edhe këtu ka ngërç juridik, për shkak të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. PD është e hapur dhe po negocion me të gjithë forcat politike për të bërë një koalicion me bazë të gjerë opozitar”, u shpreh ai.
Ai tha se organet e Partisë Demokratike po përgatisin një padi ndaj Lulzim Bashës, që sipas tij, ky i fundit po mashtron njerëzit.
“Nuk është blof, sepse PD ka organet e veta. Ne nuk mund të na diktojnë se kë zgjedhim kryetar partie, as gjykata dhe as Edi Rama. Kryesia dhe Këshilli Kombëtar do të bëjë një padi për Bashën sepse po mashtron njerëzit. Kemi bindjen e plotë se do të fitojmë pjesën më të madhe të bashkive të vendit. Unë jam prezantuar më 30 janar nga Berisha. Rama po bën gjithçka që të na pengojë, për të na nxjerrë kandidatë të tjerë përballë. Çdo kandidat tjetër që do dalë është vegël e Edi Ramës”, tha ai.
I pyetur nëse do të kandidojnë nën “çatinë” e Partisë së Lirisë, Hoxha bëri këtë koment: “Ne jemi kandidatë të PD, që në këto zgjedhje do hyjmë me një bazë të gjerë. Kandidatët e vërtetë të opozitës janë kandidatët të dalë nga procesi i primareve”, tha ai./n.m. abcnews.al