Ardit Hoxhaj është sensacioni i fazës së parë të Kategorisë Superiore. Sulmuesi i Vllaznisë në këtë sezon është më i miri në skuadrën e tij dhe jo vetëm, teksa në 12 ndeshje ka shënuar 7 gola dhe ka dhuruar 1 asist.
Forma e tij e mirë ka rënë në sy të klubeve turke dhe para disa ditësh ai refuzoi një ofertë tunduese të Boluspor prej 10 mijë eurosh në muaj, plus bonuse në varësi të paraqitjeve të anësorit.
Pas kësaj ai firmosi kontratë të re 2.5 vjeçare me Vllazninë, duke rritur ndjeshëm pagën dhe klauzolën e lirimit të tij. Përtej kësaj në Turqi “fantazitë” për xhevahirin e Vllazninë nuk reshtin.
Medie pranë Samsunspor zbulojnë se Ardit Hoxhaj ka nisur të ndjekë në Instagram Samsunspor, presidentin dhe drejtorin e klubit. Detaje këto, që çojnë në hamendësime rreth një transferimi të mundshëm të anësorit në klubin e njohur.
Ndërkohë, vetë Hoxhaj është shprehur se ka vendosur të qëndrojë në Shkodër deri në fund të sezonit dhe presidenti Xhaferi i ka premtuar se do e lejojë të largohet në verë edhe për një shifër të ulët shitjeje. /abcnews.al