Ditën kur ushtria amerikane ndërmori sulmin për eleminimin fizik të komandantit të lartë Iranian, Kasem Sulejmani nën shënjestër ishte edhe edhe një tjetër zyrtar i lartë ushtarak në Jemen.
Sipas Uashington Post, nën shënjestër të trupave amerikane ishte edhe Abdul Reza Shahlai, një financier dhe komandant kryesor i forcave inteligjente ushtarake të Iranit, njohur me emrin Quds.
Ndryshe nga sulmi i ndërmarrë ndaj komandantit Sulejmani, operacioni ndaj Shahlai ka dështuar dhe për këtë arsye të dhënat për këtë operacion janë mbajtur të fshehta nga ushtria amerikane.
Ky sulm sipas Uashington Post ngre edhe dyshimet nëse misioni i ushtrisë amerikane me urdhër të Presidentit Trump ishte krijuar për të dëmtuar udhëheqjen e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike apo vetëm për parandalimin e një sulmi të afërt ndaj amerikanëve siç u tha fillimisht.
Zyrtarë të Sh.B.A kanë deklaruar se operacioni kundër Shahlait është i klasifikuar, ndaj edhe nuk kanë ofruar detaje në lidhje me mënyrën që është ndjekur për eleminimin e një prej komandantëve kryesore të forcave të Iranit.
Në kushtet e anonimitetit një prej zyrtarëve të Pentagonit ka konfirmuar se trupat amerikanë ishin pregatitur për 2 aksione të suksesshme, por operacioni për eleminimin e Shahlait nuk u konkretizua.
Zyrtari theksoi se Shahlai mund të jetë në shënjestër në të ardhmen, megjithëse të dy vendet kanë dhënë sinjale për ulje të tensioneve mes tyre.
Por pavarësisht kësaj, administrata Trump e shikon Shahlai si një kundërshtar të fuqishëm./abcnews.al