Nëse vuani nga dhimbjet e vazhdueshme të kokës atëherë nuk duhet ta neglizhoni. Mjeku italian me përvojë më shumë se 30 vjeçare në diagnostikimin dhe trajtimin e problemeve të tilla, profesor doktor Fabio Antonaci shprehet se në Shqipëri sëmundjet që lidhen me dhimbjet e kokës janë shumë të përhapura dhe rreth 300 mijë persona vuajnë nga migrena. Për të trajtuar këta pacientë në Spitalin Amerikan 3 është ngritur një qendër e veçantë për trajtimin dhe diagnostikimin e dhimbjes së kokës.
“Rreth 10% e popullsisë vuajnë nga sëmundjet e kokës dhe në Shqipëri numërohen rreth 300 mijë persona që vuajnë nga migrena. Ndërkohë rreth 2 % e popullsisë vuajnë nga forma të rënda të dhimbjes së kokës. Në spitalin Amerikan 3 ne merremi me trajtimin e këtyre problemeve në një qendër të veçantë ku unë vij çdo muaj për të ofruar ekzaminime dhe konsulencë me pacientët.
Spitali “Amerikan 3” ofron mundësinë për të diferencuar shkakun e dhimbjes dhe për tu konsultuar edhe me kolegë të tjerë për patologjitë e lidhura me dhimbjet e kokës si psikologë ,neurokirurg,k ardiolog apo ortoped që ndihmojnë në trajtimin e sëmundjeve të kokës” tha ai.
Mjeku Italian Fabio Antonaci sqaron se pacientët që vuajnë nga migrena duhet të vizitohen nga specialistët dhe është shumë e rëndësishme që të bëhet një skanim i të gjitha shenjave dhe simptomave për të arritur në një mjekim të saktë
“Një person që vuan nga migrena duhet të vëzhgohet me kujdes nga specialist duke skanuar në këtë mënyrë të gjitha shenjat. Në fillim duhet vizita te specialisti e më pas vendoset se çfarë ekzaminimesh apo analizash duhen pasi shpesh ka abuzime dhe bëhen analiza të shumta ,të shtrenjta e të kota. Po ashtu për të saktësuar problemin pacientët duhet të paraqesin pranë mjekut specialist edhe mjekimet e mara për të vendosur më pas si të veprohet” deklaroi ai.
Në qendrën e trajtimit të dhimbjeve të kokës në Spitalin Amerikan 3 mund të trajtohen të gjithë format e dhimbjes së kokës; ato tensive, me origjinë nga qafa, migrena e të tjera./ db/Abcnews.al