Nuk ka më autobusë të zhurmshëm. “Mos flisni” është fushata e komunikimit të kompanisë së transporteve publike në Barcelonë. Qyteti spanjoll është bërë pioner i “transportit të heshtur” në kohë Kovid 19.
Të gjithë janë të heshtur në tramvaje, autobusë e metro duke ndjekur në këtë mënyrë këshillat e ekspertëve shëndetësorë. Sipas ekspertëve personat që bërtasin ose flasin në telefon mund të përhapin 50 herë më shumë mikrobe se sa normalisht.
Studime shkencore tregojnë se transporti publik nuk është një burim i rëndësishëm infektimi, dhe pse mendohet se një masë e tillë mund të përmirësojë kushtet e shëndetit.
Bëhet fjalë vetëm për një këshillë, pasi ata që nuk do të pranojnë të heshtin, nuk do të sanksionohen. Në Barcelonë qytetarët e shohin pozitivisht këtë iniciativë deri në momentin që nuk flitet për gjoba në rast se dikush flet.
Gjithashtu këshillohet që të mos konsumohet ushqim apo pije gjatë udhëtimit. Udhëtarëve iu përsëritet kjo këshillë nëpërmjet altoparlantëve, mesazhe në ekrane dhe manifeste.
Ka nga ata që kënaqen me një udhëtim më të qetë, pa zhurma, dhe janë të lumtur me këtë iniciativë. Shumë prej tyre shohin celularët, të tjerë lexojnë ose studiojnë. Por ka dhe nga ata që nuk rrinë dot pa folur dhe flasin nën zë. Por në disa mjete transporti, sidomos në orare të caktuara, është e pamundur të ruhet distanca sociale.
Por autoritetet pranojnë se nuk ka ende të dhëna që dëshmojnë impaktin real apo efikasitetin e heshtjes që iu imponohet udhëtarëve./abcnews.al