Në Shtator caktohet data për hapjen e negociatave të Maqedoninë së Veriut

schedule11:00 - 13 Qershor, 2019

schedule 11:00 - 13 Qershor, 2019

Maqedonia e Veriut ka marrë garanci nga Gjermania se në shtator do të marrë dritën jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në një takim me kryeministrin Zaev, kancelarja Angela Merkel ka deklaruar se vendi ka realizuar reforma të rëndësishme që i mundësojnë nisjen e bisedimeve.

Premtime se Bundestagu në shtator do të jep dritë jeshile për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe urime për rezultatet e arritura të Qeverisë. Këto janë mesazhet që Kryeministri Zoran Zaev, sipas delegacionit të Maqedonisë së Veriut, sot i ka marrë nga kancelarja gjermane Angela Merkel në takimin e Berlinit.

Nga Qeveria e Maqedonisë thonë se janë të kënaqur me atë që kanë dëgjuar nga Kancelarja Merkel në këtë takim. Në komunikatën zyrtare të Qeverisë thuhet se shtatori mbetet muaji kur Bundestagu do të debatojë dhe me siguri, do ta miratojë fillimin e negociatave.

“Kryeministri Zaev në takim ka theksuar se Republika e Maqedonisë së Veriut ka besim të plotë në kancelaren gjermane Merkel dhe përkrah politikën e saj për procesin e zgjerimit të BE-së, si dhe politikën e saj ndaj Ballkanit Perëndimor”, bëri me dije qeveria e RMV-së.

Konfirmimi për këtë paralajmërim paraprakisht kishte arritur edhe nga Deputeti i CDU-së në Bundestagun gjerman Johan Vadefull i cili në një deklaratë për Frankfurter Allgemajne Cajtung ka theksuar se në shtator do të miratohet fillimi i negociatave.

Komunikatë ka lëshuar edhe Kabineti i kancelares gjermane Merkel, por në të nuk ka asnjë fjalë për perspektivat evropiane të vendit. Për këtë takim njoftohet përvec marrëdhënieve dypalëshe është biseduar edhe për cështje evropiane dhe të jashtme politike./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!