Në shpëtim të ekonomisë ruse, bursa e Moskës sërish e mbyllur

schedule08:38 - 4 Mars, 2022

schedule 08:38 - 4 Mars, 2022

Tregtimi me bursën e Moskës do të qendrojë i mbyllur edhe sot, e premte, 4 mars , tha Banka Qendrore Ruse në një deklaratë. Bursa nuk është hapur gjatë javës, pas vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, që prej hyrjes së ushtrisë ruse në Ukrainë, më 24 shkurt.

Në deklaratën me shkrim nga Bursa e Moskës thuhet se transaksionet në tregje nuk do të vazhdojnë as sot për shkak të “situatës aktuale”. Nga ana tjetër, në deklaratën e Bankës Qendrore të Rusisë thuhet se komisioni që individët duhet të paguajnë për shumën totale të blerjes kur blejnë valutë në bursë është ulur nga 30 për qind në 12 për qind.

Lexo edhe:Si kaloi nata në Ukrainë, të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur që prej ditës së djeshme

Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe sanksioneve të shpallura nga vendet perëndimore, më 28 shkurt zhvlerësimi i rublës ruse ndaj dollarit kaloi 20 për qind. Bursa e Moskës është gjithashtu e mbyllur për tregtim që nga 28 shkurti.

Bursa e Moskës humbi 35 për qind në shkurt në krahasim me mbylljen e një muaji më parë.

Presidenti i SHBA Joe Biden njoftoi të enjten sanksione të reja ndaj oligarkëve rusë. Mbretëria e Bashkuar sanksionoi gjithashtu dy oligarkë kryesorë rusë me një vlerë të përbashkët prej 19 miliardë dollarësh.

“Ne nuk do të ndalemi këtu. Qëllimi ynë është të sakatojmë ekonominë ruse,” tha në një deklaratë Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss.

Sot është dita e nënë e luftës Rusi-Ukrainë, me tanket ruse që kanë sulmuar termocentralin më të madh bërthamor në Evropë, duke sjellë frikë për katastrofë ’10 herë më të madhe se Çernobili’ e cilësuar si katastrofa më e madhe e njerëzimit e ndodhur shumë vite më parë.

Bëhet fjalë për bombardimin e një termocentral bërthamor në Zaporizhzhia.

Centrali më i madh bërthamor në Ukrainë, Zaporizhzhia, u raportua se u sulmua nga rusët në orët e para të së premtes së 4 marsit. Sulmi ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të së premtes sipas orës lokale në Ukrainë. Përreth zonës së centralit kanë qenë duke u zhvilluar luftime prej disa ditësh.

U konfirmua se sulmi nuk shkaktoi pasoja aq të mëdha sa të shkaktonte fatkeqësi bërthamore. Ekspertët raportuan se nuk ka rritje të nivelit të radioaktivitetit./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!