Në Shkup përkujtohet 20-vjetori i sulmeve të NATO-s

schedule19:30 - 24 Mars, 2019

schedule 19:30 - 24 Mars, 2019

Fushata e bombardimeve të NATO-s, që çliroi Kosovën nga genocidi serb, u përkujtua edhe në Shkup.

Përvjetori i sulmeve të NATO-s është shënuar edhe tek ne. Në Shkup, nën kujdestarinë e kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, e në organizimin të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, të Institutit të Historisë nga Prishtina dhe Komunës së Çairit, është zhvilluar një tubim përkujtimor.

Në të, Ahmeti ka vlerësuar lartë rolin e NATO-s. Sipas tij, më 1999 shqiptarët lirinë e fituan me gjak, kurse çlirimi erdhi nga Aleanca e fuqishme veriatlantike. Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj vlerësoi se sulmet e  NATO-s, para dy dekadash, shënojnë një epokë të re për Ballkanin.

Historianë  e politikanë kanë vënë në plan të parë se ndërhyrja  e NATO-s kundër caqeve ushtarako-policore serbe pengoi genocidin në Kosovë, por edhe atë që quhet spastrim etnik. Për Ali Ahmetin, që para dy dekadash ishte ndër kryedrejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, NATO-ja në ballë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte ajo që u dha fund shtypjes dhe padrejtësive të gjata ndaj shqiptarëve.

I pranishëm në tubim, Zëvendëskryeministri I Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar kontributin e shqiptarëve të këtushëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Hoxhaj tha se tha se operacionet ushtarake të NATO-s dhe pozicionimi i drejtë i bashkësisë ndërkombëtare në ballë me Shtetet e Bashkuara, bënë që i gjithë Ballkani të hyjë në një epokë të re.

Zyrtari i lartë nga Kosova, Enver Hoxhaj, shprehu bindjen se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, që nënkupton njohjen e ndërsjellë, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe aderimin e Kosovës në OKB, do të shënonte edhe mbylljen e  njërës prej sfidave të fundit historike në rajonin e Ballkanit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!