Skuadra e Real Madrid ka shumë pak kohë në dispozicion për të nënshkruar me futbollistin francez Pol Pogba. Alternativa nëse dështon pista Pogba është mesfushori i Ajaksit, Van De Bek.
Në Madrid janë ditët vendimtare për nënshkrimin me mesfushorin francez Pol Pogba. Dëshira e presidentit Florentino Perez është t’i dhurojë trajnerit Zidane futbollistin e shumëkërkuar për të kompletuar në mënyren e duhur merkaton e kësaj vere. Manchester United kërkon jo pak, por 200 mln euro për të lënë të lirë liderin e mesit të fushës. Një çmim i kripur për cilindo ekip europian përfshi këtu edhe skuadrën galaktike. Merkatoja në dalje në Angli përfundon në datën 8 gusht dhe Real Madrid nuk ka ende shumë kohë në dispozicion. Pogba mund të largohet edhe pas kësaj date, por skuadra angleze nuk mund të ofrojë asnjë lojtar dhe francezi do të linte pas një boshllëk të madh.
Alternativa në rast se dështon transferimi i Pogba është mesfushori i talentuar i Ajaksit, Van De Bek.
22 vjeçari kushton shumë herë më pak se Pogba dhe premton shumë për të ardhmen. Për futbollistin në fjalë kanë shfaqur interes shumë klube të mëdha europiane.
Van De Beek ka spikatur sezonin e kaluar me Ajaksin ku ka zhvilluar paraqitje dinjitoze madje është një titullar i padiskutueshëm edhe tek kombëtarja e Hollandës. I riu premtues nuk mund t’i thotë jo një oferte nga klubi spanjoll, por gjithçka do të vendoset rreth kalimit ose jo te Pogba në “Santiago Bernabeu”. /ABC News Albania 24/7