Një nga qendrat më të rëndësishme në vend për të strehuar dhe mbrojtur vajzat që kanë kaluar përvoja të rënda në jetën e tyre në familje është ajo në Gjadër të Lezhës, qendra “Rozalba”. Në këtë qendër tentohet që vajzat të nisin një jetë re duke harruar dhe lënë pas atë çfarë u ka ndodhur.
Vargje të shkruara nga një vajzë, fëmijëria e së cilës nuk i ngjan të zakonshmes. Është diku mes këtyre fëmijëve si pjesë e strehës Rozalba në fshatin Gjadër të Lezhës. Gjithsesj 15 vajza nën kujdesin e motrave Venerini.
Secila ka një histori tragjike për të treguar, por kanë vendosur të shohin para të ardhmen. Rina LLeshi mbërriti këtu kur ishte 13 vjeçe. Ka përjetuar një drame të cilën e ka hedhur pas krahëve pas 4 vitesh tek “Rozalba”.
“Realisht ka qenë shumë e vështirë. Me kalimin e kohës kaloi sepse njoha persona që më donin shumë dhe më donin falas, pa kushte”, tha ajo.
Bashkë me shumë fëmijë të tjerë të qendrës Oratorio po në fshatin Gjadër, prezantuan një shfaqje që është puna e një viti.
Në mes të këtij grupi fëmijësh, askush nuk i njeh ato që vijnë nga një e kaluar me thyerje të mëdha. Motër Alma Zogaj e tregon këtë fakt si një falenderim edhe për fshatin që i ka bërë pjesë të tyre.
“Shtëpia “Rozalba” është një shtëpi e cila siç e keni vënë re kemi dashur të prezantojmë, por jo ta dallojmë”, tha ajo,
Duhet një punë e madhe me fëmijët. Por motër Alma thotë se ndodh të ndjehen të pafuqishme kur dëgjojnë rrëfimet e tyre.
“Edhe ne ndihemi shumë të pafuqishme në momentin kur ato paraqesin vuajtjet e tyre dhe thonë ‘pse pikërisht mua’. Ky është një moment ku e kemi shumë të vështirë që t’u japim arsyet se pse u ka ndodhur pikërisht asaj apo kësaj, por kërkojmë në të përditshmen tonë të plotësojmë atë boshllëk që ka lënë mangësia e dashurisë së personave të afërm ose sepse nuk janë fare në këtë jetë, ose sepse realisht i kanë lënduar”, tha ajo.
Shtëpia “Rozalba” nuk i ekspozon fëmijët që vijnë nga realitete të hidhura, nuk e propagandon punën e saj.
“Është pjesë e një ecje shpirtërore, një heshtje, një dashurie që kemi pa pasur nevojë që të ekspozohet apo shitet sepse është ajo që na i bën qejfin zemrës tonë dhe pastaj sjell frytet. Si një farë e vogël që e mbjell dhe sjell fryte”, tha ajo.
Mbështetja vjen nga kisha dhe donatore vendas, por motër Alma kërkon të mos jenë të vetme. Vajzat nuk kanë nevojë vetëm për fjalë, por për mbështetje reale dhe financiare.
“Ne jemi të mbështetura shumë nga ana sociale, por kjo nuk mjafton, sepse vajzat nuk kanë nevojë vetëm për pak fjalë por që të dihen të mbështetura edhe nga ana ekonomike”, tha ajo.
Shtëpia “Rozalba” është një dere e hapur për ato që fati u doli kundër shumë herët. Prej vitesh qendra rehabiliton me dhjetëra vajza. Tentohet rikthimi i tyre në jetën normale. Dikur ato do të ikin prej këtu, por çdo gjë do të jetë ndryshe nga koha kur bota rreth tyre u shemb./ABC News Albania 24/7