Burgu i grave të “Ali Demit” në kryeqytet tashmë është i boshatisur. 54 gra të dënuara dhe të paraburgosura janë transferuar në burgun e ri të Pojskës në Pogradec.
Mëngjesin e së shtunës u transferuan nga policia e burgjeve gratë e fundit nga ky institucion i vuajtjes së dënimit, pasi një pjesë e tyre u zhvendosën disa ditë më parë.
Sistemit të burgjeve i është shtuar tashmë një godinë e re në fshatin Pojskë të Pogradecit, i sigurisë së zakonshme dhe me kushte sipas standardeve.
Por burgu i “Ali Demit” nuk do të mbyllet përfundimisht. Ai do të shërbejë si burg i hapur. Në këtë burg do të mbahen të dënuarit në gjysmë liri, ata të cilët shkojnë në burg vetëm natën, pasi ditën punojnë.
Burgu “Ali Demi”, i njohur edhe si institucioni i vuajtjes së dënimit 325 është funksional që prej vitit 1976. Fillimisht është përdorur si repart ku mbaheshin të dënuarit që punonin për ndërtimin e pallateve në Tiranë. Më pas ai u përdor për të dënuarit për vepra të lehta penale dhe vitet e fundit vetëm për gratë./abcnews.al