Në pritje të trageteve për të hyrë ilegalisht në Angli, “çmontohet” kampi i emigrantëve shqiptarë në Bilbao

schedule13:09 - 15 Korrik, 2022

schedule 13:09 - 15 Korrik, 2022

Policia kufitare detare në Spanjë, në bashkëpunim me Autoritetin Portual të Bilbaos ka çmontuar më 11 korrik një vendbanim të paligjshëm në Portin e Bilbaos, ku qëndronin 8 emigrantë shqiptarë.

Sipas medieve të huaja, emigrantët donin të hynin në objekte mallrash dhe tragete për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Ky është një operacion i ri kundër vendbanimeve të paligjshme të emigrantëve, të cilët synojnë të mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht.

Në një nga shpatet pranë Portit, agjentët zbuluan një kamp të përbërë nga tre tenda të fshehura mes bimësisë.

Në të, ata gjetën tetë shtetas të kombësisë shqiptare, të cilët, pavarësisht se ishin në një periudhë qëndrimi të ligjshëm, nuk plotësonin kërkesat e përcaktuara  për turistët.

Brigada e Emigracionit dhe Kufijve të Bilbaos vendosi ndaj tyre një masë administrative që nënkupton detyrim largimi nga vendi, shkruajnë mediet spanjolle.

Në këtë mënyrë 8 emigrantëve shqiptarë ju komunikua se duhet të largohen brenda një afati maksimal prej 15 ditësh nga Spanja dhe nëse ndalon sërish do të arrestohen dhe më pas do të dëbohen.

Ky operacion është pjesë e luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe synon të parandalojë shfrytëzimin e këtyre të rinjve në Mbretërinë e Bashkuar nga organizata kriminale që i kapin në vendet e tyre të origjinës me premtime të rreme për punësim, për t’i imponuar punë që i kufizojnë lirinë ose detyrojnë ata të kryejnë praktika kriminale./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!