Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Në pritje të familjes së vëllait/ Vlorë, i moshuari: Ikën në Siri para 13 vitesh, ndoshta fëmijët janë gjallë

schedule13:41 - 21 Shkurt, 2026

schedule 13:41 - 21 Shkurt, 2026

Rasti i Eva Dumanit, e rikthyer pak ditë më parë nga Siria, ka ngjallur shpresë edhe për pjesëtarët e familjes Korvafaj për fatin e të afërmve të tyre.

Rreth 13 vite më parë, 9 pjesëtarë të familjes Korvafaj nga Kuçi i Vlorës u larguan drejt Sirisë.

Sot, vetëm tre anëtarë të familjes të moshës 7 deri në 19 vjeç janë rikthyer, falë ndërhyrjes së qeverisë shqiptare 3 vite më parë. Për gjashtë të tjerët ende nuk dihet asgjë për fatin e tyre.



Vëllai i Hasan Korvafajt, Luani, i cili jeton në Kuç, shprehet se ka ende shpresë, pavarësisht se të rikthyerit nga Siria tregojnë shumë pak për atë çfarë ka ndodhur atje apo për fatin e familjarëve të tjerë.

Për Hasanin tashmë dihet se është vrarë në Siri, por për pjesëtarët e tjerë të familjes mungojnë informacionet.

Me fotografinë e Hasanit në dorë, vëllai i tij, Luani tregon se informacionin për vendndodhjen e tyre në Siri e morën vetëm pasi ata ishin larguar. Sipas tij, i pari që u nis drejt Sirisë ishte djali i Hasanit, Erjon Korvafaj, e më pas u larguan edhe pjesëtarët e tjerë të familjes.

Bashkëshortja e Luanit tregon se Erjoni punonte si IT dhe ishte i pari që u largua. Pas tij shkoi Hasani me familjen. Nga ato që kanë mësuar, Hasani është vrarë pasi kundërshtonte qëndrimin në Siri, ndërsa për të tjerët nuk ka asnjë të dhënë.

Edhe fëmijët e rikthyer flasin shumë pak për atë që kanë përjetuar. Aktualisht ata jetojnë në Tiranë dhe janë riatdhesuar falë ndërhyrjes së qeverisë shqiptare dhe ndërhyrjes se kryeministrit Rama, rreth tre vite me parë.

Luani, sot 77 vjeç, vazhdon të shpresojë për fatin e të afërmve të tjerë. Edhe bashkëshortja e tij beson se dikush prej tyre mund të jetë ende gjallë, megjithëse fati i tyre mbetet i panjohur. Me lot në sy, ata flasin për dhimbjen dhe pritjen e gjatë.

Fati i shumë shqiptarëve të larguar drejt Sirisë mbetet ende një enigmë, ashtu si edhe ai i pjesëtarëve të familjes Korvafaj nga Kuçi i Vlorës, të cilët u nisën drejt zonës së konfliktit 13 vite më parë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!