“Në politikën shqiptare qarkullojnë të njëjtit emra,” Rama medias gjermane: Unë kam më pak vite se Berisha e Meta

schedule12:31 - 20 Shtator, 2022

schedule 12:31 - 20 Shtator, 2022

Gjatë një interviste të dhënë për median gjermane “Der Spiegel”, kryeministrit Edi Rama i është vënë në dukje se në Shqipëri prej vitesh dominojnë skenën politike të njëjtët emra.

“Që nga fillimi i viteve 1990: paraardhësi juaj Sali Berisha, ish-presidenti Ilir Meta dhe Edi Rama. Jeni në pushtet prej një kohe të gjatë?” Pyet gazetari/a gjerman.

Megjithatë, Rama thekson se ai nuk ka qenë në politikën shtetërore po aq vite sa Meta e Berisha, ndërsa shton se tashmë në parlament ndodhet një gjeneratë e re.

Lexo edhe: Sulmi kibernetik, Rama për “Der Spiegel”: Qëllimi ishte të shkatërroheshin të gjitha shërbimet

Kurse i pyetur për besimin që ka shprehur shpesh te gratë e kabinetit, kreu i qeverisë thotë se në ndryshim nga burrat, ato i çojnë projektet që marrin përsipër përpara.  Po ashtu, ndërsa sillte në vëmendje bukuritë natyrore të Shqipërisë, Rama ftoi pensionistët gjermanë që ta kalojnë pleqërinë e tyre buzë brigjeve shqiptare.

PJESË NGA INTERVISTA

Edi Rama: Nuk kam qenë në politikën shtetërore sa dy të tjerët, por tani kemi një gjeneratë krejt të re në parlament dhe një kabinet me përqindjen më të lartë të grave në tabelën e OKB. Kjo është në fakt mjaft përparimtare.

DER SPIEGEL: Ju shpesh thoni se gratë janë më të mirat. Çfarë ju sjell në këtë besim?

Edi Rama: Jam vërtet i bindur për këtë. Nëse i kërkoni një mashkulli të bëjë një projekt të caktuar, ai zakonisht thotë po, por shpesh nuk ndodh asgjë. Me një grua është e kundërta. Ajo heziton në fillim, por pasi të vendoset projekti, ajo e kryen atë me besueshmëri.

DER SPIEGEL: Ndryshe nga gratë, marrëdhënia juaj me median konsiderohet të jetë mjaft e tensionuar. Ju pëlqen të shani gazetarët si ‘kazanë’ dhe ‘sharlatanë’. Si përshtatet kjo në një demokraci të hapur?

Edi Rama: Unë mendoj se falja do të vijë kur dialogu të funksionojë.

DER SPIEGEL: Shqipëria ka tetë vjet që pret negociatat e anëtarësimit në BE, Maqedonia e Veriut 17 vjet. Bisedimet e para më në fund u zhvilluan në korrik. Sa do të zgjasë durimi juaj?

Edi Rama: Kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE, durimi ynë nuk ka fund. Ne duam të jemi atje. Ne jemi evropianë. Jeta jonë politike mund të jetë e polarizuar sot, shpesh nuk mund të biem dakord as për kohën. Por, kur bëhet fjalë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ka konsensus absolut.

DER SPIEGEL: Për çfarë po flisni saktësisht?

Edi Rama: Së fundmi në ”Guardian” u botua një artikull për ndërtimin e shumë pallateve të larta në qendër të Tiranës, ku pretendohej se projekti i ndërtimit është pastrim parash dhe se këto pallate të larta do të qëndrojnë bosh. E gjithë kjo është e gabuar.

DER SPIEGEL: A nuk është e saktë që teatri i vjetër kombëtar në qendër u shkatërrua me një operacion për të ndërtuar këto godina të reja? Dhe, a nuk mund të thuhej se procedurat e prishjes dhe ndërtimit nuk ishin shumë transparente?

Edi Rama: Jo! Po ndërtohet një i ri ku u shemb teatri i vjetër. Dhe bëhet fjalë vetëm për shtatë ndërtesa të larta. Pronarët e ardhshëm janë të gjithë biznesmenë të njohur. Ata janë ndër taksapaguesit më të mëdhenj në Shqipëri. Blerjet dhe shitjet përpunohen përmes bankave. Disa tani pretendojnë se janë paratë e drogës. E vërteta është se këta persona kanë marrë kredi nga bankat për financim, verifikohen të gjitha transaksionet e shitblerjes. Deklarata jonë ndoshta nuk përshtatet në trendin e artikullit

DER SPIEGEL: Për ndërtimin e portit në qytetin bregdetar jugor të Durrësit, ju keni fituar emirin e Abu Dabit si ndërmjetës për investitorët arabë. Çfarë prisni nga kjo?

Edi Rama: Ky projekt fantastik do ta sjellë turizmin tonë në Shqipëri në majat e botës. Porti i vjetër i qytetit kthehet në një port turistik. Për vite me radhë ne kërkonim një investitor të gatshëm për të investuar dy miliardë euro, por nuk mund të gjenim një. Mohammed bin Zayed e mbështet projektin me bujari dhe ka gjetur sponsorët.

DER SPIEGEL: Shqipëria renditet e 110-ta nga Transparency International, a mund të na jepni tre arsye pse sipërmarrësit duhet të investojnë ende këtu?

Edi Rama: Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në botë. Shkalla jonë e krimit është më e mirë se Britania e Madhe, Greqia apo Italia dhe sigurisht SHBA, me një nga normat më të ulëta të vrasjeve në Evropë. Industria e turizmit duhet të investojë sepse natyra dhe brigjet të lënë pa frymë. Dhe pensionistët gjermanë duhet të vijnë këtu për të kaluar pleqërinë e tyre buzë detit. Sipas një thënieje të vjetër, “shtëpia e shqiptarir është e Zotit dhe e mikut”. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!